Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancë plenare po e shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli tha se përbërja e këtij bordi është jo profesionale, derisa shtoi se Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave nuk ka punuar në modernizimin e transportit hekurudhor.
Pacolli përmendi ngecjen e funksionimit të linjave hekurudhore, përveç asaj Prishtinë-Pejë.
Duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për shkarkimin e këtij bordi, ajo tha se janë konstatuar dështime.
“Është shqetësuese ekzistimi i 268 vendkalimeve ilegale mbi binar të cilat në vazhdimësi janë rrezik për jetën e qytetarëve, vetëm gjatë periudhës 2016-2020 janë lënduar 48 persona përderisa të vdekur I kemi 11 persona. Është shqetësuese mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe si pasojë sot kemi edhe ndërtim të shtëpive dhe objekteve të banimit afër binarëve apo rrjetit hekurudhor. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ka neglizhuar bashkëpunimin me nivelin komunal dhe me organet e sigurisë. Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave ka shkelur rregulloren për operimin me licencë të operatorëve në rehabilitimin e hekurudhave”, tha Pacolli.
Bordi i Autoritetit Rregullativ të hekurudhave kryesohet nga Arsim Berisha, ndërsa anëtar janë Gëzim Qerimi, Shkumbim Hyseni dhe Ilmi Ahmeti.