Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, e ka vlerësuar të vështirë dhe me shumë pak progres takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Lajçak që së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së Joseph Borrell ishin pjesë e këtij takimi tha se dy delegacionet diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportojë është se dialogu do të vazhdojë.
“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha ai.
Palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime mbi baza mujore, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur është e përshtatshme.
Në anën tjetër kryeministri Kurti tha se ka paraqitur një marrëveshje për paqe por që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq ende pa u lexuar.
Ndërkohë edhe presidenti serb Vuçiq akuzoi Kurtin për kthim në shekullin e 19-të.