Ferdi Kamberi
Libri 100 të hëna sociologjike i profesorit, sociologut të mirënjohur shqiptar, Ali Pajaziti është një vepër origjinale që nën llupën apo skanerin sociologjik vë dukuri dhe tema të ndryshme shoqërore në mikro dhe makro plan që na prekin të gjithëve si lloj njerëzor pa marrë parasysh gjeografinë ku gravitojmë. Përmbledhja që keni para ngërthen refleksione, qëmtime, analiza profesionale e të thella që janë një portë e re e hapur për lexuesin shqiptar i cili në shekullin 21 kërkon më tepër guxim dhe kreativitet ideor e shkrimor, elaborime tejtradicionale.
Titulli i veprës – në të cilën manifestohet stili tanimë i mirënjohur i Pajazitit, mes artikullit shkencor dhe shkrimit/esesë konvencionale – është goxha interesant: 100 të hëna=100 javë; siç dihet, e hëna është ditë e parë e javës, ajo përcakton agjendën tonë javore, është simbolikë e fillimciklit, kontinuitetit dhe gjallërisë së jetës.
Brenda faqeve të këtij libri do të gjeni tema si relacioni historia-shoqëria, misioni i universitetit, “kurbanët”e gjeneratës Z, krimi kulturor dhe mythomotoeur, lëvizjet migrative shqiptare, sociologjia, feja dhe viti i ri, estetika dhe fryma, feminizmi, rinia dhe Bigcommerce, diskriminimi i personave me aftësi të kufizuara, “udhëtimet e rrezikshme” (dangerous journeys) dhe humaniteti i ngrirë, ekonomia dhe romani, lufta si dehje e përgjakshme, triada ‘Ukraina, Fukuyama dhe Putleri’, identitetet ballkanike, grafitologjia, sociabiliteti dhe metafizika, etika e profesionit, kultura politike, filozofia e arsimit, shkenca qytetare, deri te shumëaktualet si rrjetëzimi transnacional, inteligjenca artificiale, astropolitika e të ngjashme.