Dymbëdhjetë infermierë të trajnuar nga Forca e Sigurisë̈ së Kosovës (FSK), i janë bashkëngjitur Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ata kanë përfunduar të gjitha përgatitjet bazike dhe do të qëndrojnë në klinikat e QKUK-së për 30 ditë, varësisht nga nevoja, që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për pacientët e prekur me COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë Forca e Sigurisë së Kosovës si ushtri e Kosovës dëshiron të angazhohet drejtpërdrejt dhe të japë kontributin në luftimin e pandemisë me koronavirus. Ai deklaroi se bashkëpunimi ndërinstitucional në ballafaqimin me pandeminë po jep rezultatet e veta.
Zemaj: Ky është angazhim për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë Kosovën
“Sot këta ushtarë, i shihni si pjesë organizative e sistemit tonë institucional qendror dhe lokal që t’iu dalin në ndihmë profesionistëve shëndetësorë, andaj me ngritjen e kapaciteteve dhe resurseve humane, qoftë edhe të infrastrukturës, është një angazhim ditor për nevojat, të cilat ne, jo vetëm në fazat emergjente që kemi, por edhe në ecjen dhe fuqizimin e shërbimeve shëndetësore, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shkëlzen Syla ka thënë se infermierët do të ndahen në katër njësi dhe, fillimisht, do të nisin punën në Klinikën Infektive.
Syla: Ekipet do të orientohen aty ku është më e nevojshme
“Sipas asaj që ne jemi dakorduar, në fakt do të ndahen në katër njësitë me nga tre personel, mirëpo sipas orientimit do të jenë tri grupe me nga katër infermierë që nga ta, grupi i parë do të jenë në kliniken infektive ku edhe aktualisht është fluksi më i madh i pacientëve me COVID, pastaj një njësitë do të shkojë në qendrën e mjekimit intensive qendror dhe një në klinikën e pulmologjisë. Ne jemi të informuar që një numër i madh i personelit mjekësor pothuajse çdo ditë është duke dalë nga shërbimi për shkak të infeksioneve që po fitojnë dhe sigurisht që përkrahja është më se e domosdoshme”, ka thënë Syla.
Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se prezenca e infermierëve të FSK-së është dëshmi e një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm në luftën ndaj pandemisë COVID-19. Ai tha se është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë.
Krasniqi: Hera e parë që ka një lloj të tillë bashkëpunimi FSK-MSH
“Është hera e parë që infermieret e ushtrisë sonë kyçen drejtpërdrejt në shërbimin civil shëndetësor. Prandaj, unë sot këtu ndihem shumë i privilegjuar që një mision i tillë po fillon këtyre ditëve. Kam shumë besim në profesionalizmin e juaj, dhe kam shumë entuziazëm se ju me shkathtësitë e juaja do të futni kapacitete shtesë brenda shërbimit spitalor, por në të njëjtën kohë edhe do të mësoni nga koleget tanë që për muaj të tërë janë në përballje me COVID. Shkëmbimi i përvojave tuaja, shkëmbimi i infermiereve të shërbimit spitalor, klinik universitar do ta ndërtojë mozaikun e plotë të shërbimeve sa më kualitative për pacientet tanë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, javën tjetër pritet të angazhohen edhe 375 profesionistë shëndetësorë.