Ministria e Shëndetësisë së Kazakistanit tha të dielën se 164 persona janë vrarë në protestat që kanë tronditur vendin gjatë javës së kaluar.
Shifrat e raportuara në kanalin shtetëror të lajmeve Khabar-24 janë një rritje e konsiderueshme nga të dhënat e mëparshme. Nuk është e qartë nëse vdekjet u referohen vetëm civilëve apo nëse përfshihen vdekjet nga forcat e rendit.
Autoritetet kazake thanë më herët të dielën se 16 policë ose roje kombëtare ishin vrarë. Teksa Autoritetet më parë raportuan se 26 protestues janë vrarë, shkruan AP, transmeton Klankosova.tv, përcjell FolDrejt.com.
Shumica e vdekjeve, 103 ishin në Almaty, në qytetin më të madh të vendit, ku demonstruesit dëmtuan ndërtesat qeveritare dhe i vunë flakën disave, sipas ministrisë.
Avokati i Popullit i vendit për të drejtat e fëmijëve tha se tre nga të vrarët ishin të mitur, përfshirë një vajzë 4-vjeçare.
Ministria më herët raportoi se më shumë se 2,200 njerëz kërkuan trajtim për lëndimet nga protestat, dhe Ministria e Brendshme tha se rreth 1,300 oficerë sigurie u plagosën.
Zyra e presidentit të Kazakistanit tha se rreth 5,800 njerëz u arrestuan nga policia gjatë protestave që u shndërruan në dhunë javën e kaluar.
Zyra e Presidentit Kassym-Jomart Tokayev tha të dielën se rendi është stabilizuar në vend dhe se autoritetet kanë rifituar kontrollin e ndërtesave administrative që u pushtuan nga protestuesit, ku disa prej të cilave u dogjën.