Gjenocidi, krimet çnjerëzore e spastrimi etnik nga ushtria kriminale e Serbisë në luftën e vitit 1998-1999 në Kosovë janë përcjellë edhe me një gjenocid tjetër, gjenocidin kulturor: Zhdukjen e gjuhës shqipe, zhdukjen e librit shqip dhe zhdukjen e identitetit autokton shqiptar. Ky represion e masa të dhunshme i kanë përcjellë shqiptarët përgjatë historisë. Ish okupatori Serbia ka përdorë çdo element të mundshëm gjenocidi në trojet shqiptare e kundër shqiptarëve.
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Në vitin 1990 u morën një varg masash nga autoritetet serbe kundër bibliotekave e librit shqip e të cilat u zbatuan menjëherë e në vazhdimësi. E para: U emërua bordi me drejtor e punëtorë serbë. E dyta: u keqtrajtuan e u përjashtuan shqiptarët nga bibliotekat. E treta: U përjashtuan lexuesit shqiptarë nga bankat e bibliotekës. E katërta: U ndalua blerja e hyrja e librave shqip në biblioteka. E pesta: Bibliotekat filluan të mbusheshin me libra në gjuhën serbe. E gjashta: Librat shqip largoheshin, asgjësoheshin, zhdukeshin, shkatërroheshin e digjeshin. E shtata: U ndalua bashkëpunimi me Bibliotekën amë të Shqipërisë. U ndalua bashkëpunimi me bibliotekën e Kongresit në Washington dhe u ndalua bashkëpunimi me bibliotekat e shteteve të tjera. E teta: Bibliotekat filluan të mbylleshin e të dëmtoheshin. E nënta: Në kohën e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999, bibliotekat e librat u shkatërruan e u dogjën.
Mbyllja e bibliotekave në Kosovë filloi nga viti 1990 nën detyrim të autoriteteve serbe para se të dëmtoheshin më vonë. Në vitin 1998-1999 bibliotekat u shkatërruan e u dogjën herë nga granatimet, herë nga minahedhësit e krahut e herë nga ofensivat ushtarako-policore serbe. Terrori i forcave paramilitare serbe nuk kursente asgjë. Të tjera biblioteka ishin shndërruar në baza ushtarake serbe. Kishte bibliotekë ku policia e ushtria serbe kishte rrahur e torturuar shqiptarët civilë për një fjalë goje, për liri dhe për drejtësi.
Sipas raportit nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” dokumentohet se në vitet 1998-1999, ushtria kriminale serbe i shkatërroi dhe i dogji 175 biblioteka dhe 1 milion e 665 mijë e 496 libra në Kosovë me artileri të rëndë ushtarake.
Mbyllja, shkatërrimi e djegia e bibliotekave
Pas përfundimit të luftës, nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (BKUK), është hartuar raporti që dokumenton gjetjet për numrin e përgjithshëm për bibliotekat e mbyllura, të dëmtuara, të shkatërruara e të djegura paraluftës e gjatës luftës më 1998-1999. Ky raport është miratuar nga ish-drejtori i bibliotekës, Mehmet Gërguri.
Sipas dokumentit origjinal që e ka siguruar “Fol Drejt” nga burime të brendshme dhe bazuar në të dhënat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë mbyllur, shkatërruar e djegur rreth 600 biblioteka të të gjitha llojeve në Kosovë. Kjo është bërë nga 1 tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999. Ndërsa, vetëm gjatë luftës 1998-1999 janë djegur 175 biblioteka. Prej tyre: 65 biblioteka publike në qytete e fshatra, 96 biblioteka të shkollave fillore e të mesme dhe 14 biblioteka speciale.
Nga 175 biblioteka të shkatërruara e të djegura, sipas burimeve nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” – “Janë shkatërruar e djegur 65 biblioteka publike me një fond librar prej 968.233 ekzemplarësh, 14 biblioteka speciale me një fond prej 145.105 ekzemplarësh, 86 biblioteka shkollore me një fond prej 325.415 ekzemplarësh dhe 10 biblioteka të shkollave të mesme prej 226.743 ekzemplarësh”.
Është e mundur që numri i bibliotekave të djegura dhe librave të shkatërruar e të djegur të jetë edhe më i madh. Mirëpo, çlirimi e gjeti Kosovën në mes rrënojash skaj më skaj vendit, andaj edhe faktimi në përpikëri e saktësi ka qenë i vështirë. Bibliotekat Komunale e Biblioteka Kombëtare akoma janë duke grumbullar të dhëna për të arritur tek shifrat e sakta rreth fshatrave dhe qyteteve përveç gjetjeve që tashmë janë faktuar e dokumentuar.
Kush mori vendime e kush i zbatoi ato
Ligji për Bibliotekat e Kosovës ishte bërë më 28 prill 1978. Në janar të vitit 1990 në Serbi u aprovua Ligji për Bibliotekat në mënyrë që përmes tij ta shtrijnë ndikimin dhe kontrollën serbe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Këto vendime ligjore nuk i zbatuan dhe nuk i pranuan asnjëherë shqiptarët e Kosovës që përbënin më shumë se 90 përqind të popullsisë vendase.
Në korrik të vitit 1990, Kuvendi serb miratoi Ligjin për marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta. Me këtë ligj përjashtoheshin punëtorët shqiptarë nga vendi i punës bazuar në kritere arbitrare e pa arsye. Madje, përmes këtij ligji synohej që të mbesin në vendin e punës, shqiptarët duhej ta nënshkruanin dokumentin përmes të cilit vërtetohej se pajtoheshin me politikat e me masat e dhunshme serbe. Këtë dokument shqiptarët nuk e nënshkruan e nuk e pranuan kurrë.
Kur vendimet ligjore të Serbisë nuk e arritën efektin e planifikuar, atëherë më 27 shtator 1990 doli vendimi për aplikimin e masave të dhunshme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky vendim ishte publikuar në Gazetën Zyrtare të RSS nr. 53/90, vendim që filloi të zbatohej prej 1 tetorit 1990.
Në vitin 1991 u ndalua mësimi, edukimi e arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e institucionet arsimore shqipe në Kosovë. Këto vendime në mesin e shumë vendimeve të tjera përmes administrimit serb e themeluan bazamentin e një sistemi aparteidi, shtypës e represioni. Ky sistem shtypte të drejtat individuale e kolektive të shqiptarëve.
Terrori në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Ish-drejtori nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Mehmet Gërguri, ishte bërë pjesë e bibliotekës më 1 janar të vitit 1968 dhe ishte zgjedhur drejtor më 6 qershor 1990, ndërsa në shtator të të njëjtit vit ishte përjashtuar nga puna. Para se të fillonte administrimi serb, në vitin 1953 Biblioteka Kombëtare ishte mbyllur dhe ishte hapur në shkurt të vitit 1962.
Më 1 tetor 1990, në Bibliotekë u vendos bordi serb në krye me drejtorin e dhunshëm e ilegal serb Slobodan Kostić dhe ndihmës drejtorin serb. Kostić ishte drejtor deri në vitet 1995-1996. Nga viti 1995-1996, drejtor ishte Jordan Ristić deri më 16 qershor 1999. Më 10 tetor 1990 ishte ndërprerë rryma në bibliotekë dhe nuk kishte energji elektrike deri në fillim të nëntorit. Nga ana tjetër punëtorët shqiptarë kishin filluar të keqtrajtoheshin para se të përjashtoheshin nga puna.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës deri më 1 tetor 1990 kishte 136 punëtorë që kishin nga 25 deri në 37 vjet përvojë pune. Në ditët e para të tetorit më 1990 nga biblioteka filluan të përjashtoheshin shqiptarët nga hollet e bibliotekës në mënyrë sistematike. Sipas të dhënave të kohërave të atëhershme të Sindikatës së Pavarur të Bibliotekës Kombëtare, më 18 tetor 1990 ishin përjashtuar edhe 22 punëtorë të tjerë shqiptarë, burra e gra, djem e çika. Atyre u ishte kërkuar që brenda njëzetë minutash ta lirojnë bibliotekën ose kundër tyre do të merreshin vendime të dhunshme nga forcat policore serbe, shkruan e përditshmja e asaj kohe “Gazeta Fjala”. Në ditët e tjera i tërë Sektori për Ruajtjen dhe Shfrytëzimin e Fondeve ishte zëvendësuar me serbë e malazez. Në muajt e tjerë u përjashtuan edhe 99 punonjës. Prej tyre 93 shqiptarë, 3 boshnjakë, 2 turq dhe 1 kroat.
Kreu i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Mehmet Gërguri, kishte dërguar letra në organizatat ndërkombëtare e në UNESCO më 1992-1993, 1995 dhe më 1997, në mënyrë që ta tërheqë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar mbi situatën e zhvilluar në Kosovë nga regjimi brutal serb. Gjithashtu, iu kishte shkruar letër edhe në vitin 1999.
Biblioteka Kombëtare ishte shndërruar në ndërmarrje biznesore
Prej 26 tetorit 1990 e deri më 26 mars 1991, punohej në korridore të bibliotekës. Kjo për arsye që të largoheshin sasi të mëdha materialesh nga biblioteka. Këto materiale ishin klasifikuar dhe janë bartur në depo të bibliotekës. Paskëtaj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ishte shndërruar në ndërmarrje biznesore me qëllim që të shkatërrohej literatura shqipe. Kati katërt i bibliotekës i ishte dhënë me qera Ndërmarrjes së Rrugëve “Magjistrala”. Katër lokale të katit të tretë i ishin dhënë Bashkësisë Kulturo-Arsimore të Kosovës që mbikëqyrej nga forcat serbe. Një hapësirë tjetër e kishte zaptuar Mbrojtja Territoriale Ushtarake. Byfeja me krejt hapësirën e saj i ishte dhënë personave privat. Një hapësirë tjetër e kishte marrë “Slloga” nga Beogradi, lokal i pajisjeve teknike, i cili ishte mbushur me ikonografi ortodokse.
Shkatërrimi i librit shqip në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Në korrik të vitit 1991 nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës u larguan gjashtë kamionë me gazeta shqipe dhe u dërguan në Fabrikën e Letrës në Lipjan për shkatërrim. Më 28, 29, 30, 31 janar dhe 3 shkurt 1992, gjithashtu nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës u larguan 3 mijë e 80 pako titujsh librash. Prej tyre rreth 100 mijë libra e 8 mijë 142 revista e gazeta shqipe me kamionë serbë ishin larguar në drejtime të panjohura. Kamionët kishin tabela të Nišit, qytet jashtë Republikës së Kosovës. Ndër të tjera, nga burime të Bibliotekës Kombëtare thuhet se gazetat shqipe shiteshin edhe me kilogramë vetëm e vetëm që të shkatërroheshin. Atë kohë, 12 mijë e 300 kilogramë gazeta shqipe ishin shitur për 12 mijë e 300 dinar në Fabrikën e Letrës në Lipjan. 1 kilogram gazetë në vlerë për 1 dinar. Përkthyer në vlerë monetare të dollarit të asaj kohe, vlera është rreth 300 dollarë. Qëllimi ishte të shkatërroheshin botimet shqipe.
Në vitin 1992, masat brutale shtoheshin në vazhdimësi. Bibliotekës Kombëtare të Kosovës i ishte ndaluar bashkëpunimi me Bibliotekën amë të Shqipërisë, me Bibliotekën e Kongresit në Washington të Amerikës dhe me bibliotekat e shteteve të tjera.
Largimi i librave shqip ishte bërë me vetëdije të plotë e me planifikim sistematik sepse janë lënë gjurmë. Sipas Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, në listimet e bibliotekës akoma janë regjistrat që tregojnë për largimin e librave shqip, ku librat e gjuhës shqipe e veçmas librat nga Tirana ishin të nënvizuar me një laps-kimik ngjyrë të kuqe dhe në shqip shënimi nënkuptonte “Largohet”, “E larguar”.
“Kur i kemi shikuar regjistrat e tanishëm, aty kemi hasur lista ku çdo njësi librare shqipe e librat nga Tirana ishin me një vijë ngjyrë të kuqe dhe në fund shënonte “E larguar”, “Largohet” dhe ishin larguar e zhdukur nga biblioteka”, bënë me dije Gajraku. Në mesin e qindra-mijëra librave të zhdukur e shkatërruar, disa libra ishin ruajtur në skuta të bibliotekës. Këtë e kishin thënë dëshmitarë nga kohërat e atëhershme, të cilët me lot në sy ishin përballë me largimin e librave shqip. E në pamundësi për t’i mbrojtur të gjitha, disa i kishin ruajtur në hollet e bibliotekës.
Koha kur biblioteka ishte shndërruar në bazë ushtarake
Në vitin 1999, në bibliotekë ishin strehuar refugjatë serbë nga Kroacia e Bosnja-Hercegovina. Refugjatët kishin qëndruar aty për një kohë, derisa janë kthyer punonjësit shqiptarë pas përfundimit të luftës, të cilët me mirëkuptim u kishin kërkuar që ta lirojnë objektin e bibliotekës. “Kur jemi kthyer në bibliotekë, kemi hasur që aty kishte refugjatë. Me mirëkuptim u kemi thënë që të shikojnë dhe kërkojnë sipas mundësive një vendstrehim tjetër në mënyrë që biblioteka të fillojë rikthimin e saj”, rrëfen Gërguri.
Në periudhën kohore nga prilli deri në qershor të vitit 1999, Biblioteka Kombëtare dhunshëm ishte bërë bazë e ushtrisë kriminale të Serbisë, kur edhe ishin larguar me ta humbur luftën e shkaktuar njëherë e përgjithmonë. Aty kishin lënë pushkë, armë, snajper, municion, harta, flamurin e luftës e rroba ushtrie të oficerëve të lartë serbë. “Teksa po kaloja rreth Bibliotekës Kombëtare me një mik timin, aty gjetëm edhe ushtarë të KFOR-it. Biseduam me ta dhe na thanë që do të bëjnë një kontroll. Pasi u prezantova se kush isha, hynëm bashkë në bibliotekë ku na pritën disa shqiptarë me duartrokitje. Kur kemi shku në katin e tretë, tek sistemi i ngrohjes e ftohjes kemi gjetë armë, pushkë, snajper, automatik e plot municion. Edhe në një vend tjetër ashtu kemi gjetë armë. Në bodrum kemi gjetë shumë rroba të oficerëve serbë. Kemi gjetë edhe harta dhe flamurin e luftës. Me sa e di, njësia kryesore serbe për Kosovë ka qenë e vendosur aty. Atë kohë kur është dhënë urdhër me dalë prej Kosove, i kanë lënë ashtu”, kujton Gërguri rikthimin e tij në bibliotekë.
Zonat më të prekura: Prishtina
Sipas informacioneve nga raporti i IFLA-së (Organizata Ndërkombëtare dhe e Shoqatave të Bibliotekave) dhe nga burimet e Bibliotekës Kombëtare, Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë ishte e dëmtuar nga lufta, kurse janë djegur bibliotekat në fshatrat: Hade, Koliq dhe në Viti të Marecit. Në anën tjetër, ishin shkatërruar e djegur rreth 23 mijë libra.
Drenasi, Peja e Mitrovica
Në Komunën e Drenasit janë dëmtuar e djegur 7 biblioteka. Biblioteka e Qytetit ishte djegur në pranverën e vitit 1999 nga forcat serbe. Tri biblioteka të tjera janë dëmtuar dhe tri janë djegur në fshatrat: Tërstenik, Komoran, Arllat, Sankoc, Baicë dhe Gradicë. Nga të gjitha bibliotekat e kësaj zone janë djegur mbi 72 mijë libra.
Në Pejë janë djegur bibliotekat në fshatrat: Tërstenik, Baran, Zahaq dhe Vitomiricë, kurse janë djegur edhe mbi 20 mijë libra. Në Mitrovicë, dy biblioteka ishin shkatërruar gjatë luftës nga serbët, bëhet fjalë për bibliotekën e Tunelit të Parë dhe atë Trepçës.
Malisheva, Rahoveci e Gjakova
Në Qytetin e Malishevës janë shkatërruar e djegur të gjitha bibliotekat. Të dhënat nga IFLA tregojnë se Malisheva kishte pesë biblioteka. Nga lufta janë djegur të gjitha, biblioteka e qytetit dhe bibliotekat në Kijevë, Bajë, Bellanicë dhe Lubizhdë. Bashkë me bibliotekat e djegura janë djegë edhe rreth 41 mijë libra. Në Rahovec të gjitha librat e bibliotekës së qytetit janë zhdukur, derisa në luftën e vitit 1998-1999 janë djegë bibliotekat në fshatrat: Ratkoc, Hoçë të Madhe dhe Xërxë. Të dhënat e IFLA-së për Gjakovën mbështeten edhe nga burime brenda Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Në Gjakovë janë djegur dy biblioteka në pranverën e vitit 1999 dhe janë djegur mbi 22 mijë libra, ndërsa në Bibliotekën e Qytetit janë zhdukur rreth 40 mijë libra.
Skenderaji
Sipas fakteve nga Komuna e Skenderajit, kjo zonë ishte njëra nga më të prekurat. Bibliotekat nëpër bashkësi lokale ishin mbyllur qysh nga viti 1990 me të hyrë në fuqi masat e dhunshme serbe dhe të njëjtat biblioteka janë djegur në vitet 1998-1999. Bibliotekat e djegura në fshatra ishin në Runik, Likoc, Turiqec, Prekaz i Epërm dhe Klinë e Epërme. Në anën tjetër, Biblioteka e Qytetit ishte dëmtuar ngase në objektin ku ishte biblioteka në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skënderaj, ishin vendosur refugjatë serbë nga Kroacia e Bosnja-Hercegovina dhe librat e dokumentet arkivore janë përdorur si lëndë djegëse. Sipas informacioneve nga Skenderaji, janë djegur mbi 60 mijë libra në të gjitha bibliotekat.
Ferizaji
Nga Ferizaj vijnë dëshmi të dhimbshme. Në kohën e terrorit serb, ishin rrahur e torturuar qytetarë shqiptarë nga regjimi brutal serb brenda bibliotekës. “Në atë kohë inkuizicioni serb bibliotekën e kishin shfrytëzuar për rrahje dhe torturim të qytetarëve”, thuhet nga Biblioteka e Qytetit të Ferizajit.
Në bibliotekat e Ferizajit nga viti 1991-1999 nuk kishte hyrë asnjë libër shqip në ambientet e dijes, kurse në vitin 1992 ishin zhdukur rreth 6 mijë libra shqip. Nga Komuna e Ferizajit bëjnë me dije se largimi dhe përjashtimi i shqiptarëve nga bibliotekat kishte filluar në vitin 1990.
“Diferencimi dhe diskriminimi në Bibliotekën Ndërkomunale “Anton Çeta”, kishte filluar përmes largimit të punëtorëve shqiptarë nga puna. Pastaj kishte filluar largimi i librave shqip nga hollet e bibliotekave dhe ishin asgjësuar në mënyra të ndryshme e veçmas librat me vlera kombëtare”, faktojnë të dhënat e monografisë nga Biblioteka e Ferizajit. Gjatë periudhës së luftës, ishte asgjësuar skedari ekzistues dhe dokumentacioni e nga ana tjetër kishin humbur edhe 2 mijë e 500 libra shqip. Bibliotekat në Gaçkë, Komogllavë, Nerodime, Talinoc të Muhaxherëve, Babush e Shtërpcë bashkë me librat në ambientet e tyre janë shkatërruar e djegur.
Vushtrria
Vushtrria është gjithashtu njëra nga vendet më të dëmtuara sa i përket bibliotekave. Sipas të dhënave nga Komuna e Vushtrrisë, rrespektivisht biblioteka e qytetit, dokumentohet se në qytetin e lashtë janë shkatërruar, dëmtuar, mbyllur e djegur pesë biblioteka. Në Vushtrri kishte 9 biblioteka gjithsej, një në qytet dhe tetë bibiblioteka në fshatra. Pas vitit 1990, ishin mbyllur katër biblioteka. Në vitin 1998-1999, biblioteka në fshatin Dumnicë është shkatërruar. Bibliotekat në Smrekonicë e Prelluzhë janë dëmtuar, kurse bibliotekat Strofc e Dubofc janë djegur. Në të gjitha bibliotekat janë shkatërruar e djegur rreth 45 mijë libra.
Gjilani
Sipas shënimeve nga Komuna e Gjilanit, nga viti 1990 janë mbyllur katër biblioteka. Ajo e Dobërçanit, Malishevës, Cërnicës dhe Shurdhanit, ndërsa në kohën e luftës 1998-1999, janë djegur tri prej tyre, biblioteka e Dobërçanit, Shurdhanit dhe Cërnicës. Në Bibliotekën kryesore të qytetit kishin humbur rreth dy mijë libra, kurse nëpër fshatra janë djegur rreth 64 mijë libra në gjuhën shqipe.
Kastrioti
Nga Qyteti i Kastriotit flasin për disa biblioteka të djeguna. Më 1999 objekti shkollor dhe biblioteka e shkollës në Hade ishte djegur bashkë me 5 mijë e 500 libra. Edhe biblioteka e bashkësisë lokale në Hade gjithashtu ishte djegur më 27 prill 1999 bashkë me 7 mijë e 500 libra. Bibliotekën e shkollës fillore ish “Vëllazërimi” e më pas “Pandeli Sotiri” në Kastriot, e kanë shndërruar në bazë ushtarake e 6 mijë e 300 libra i kanë shkatërruar. Mbarimi i luftës e çlirimi i Kosovës, bibliotekën e qytetit e gjeti me libra të asgjësuar që ishin nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Lipjani, Vitia, Podujeva e Kaçaniku
Nga Biblioteka e Lipjanit bëjnë me dije se të gjitha librat e bibliotekës janë dërguar në Fabrikën e Letrës për shkatërrim në këtë qytet. Nga Vitia tregojnë se Bibliotekën e Qytetit e kishin gjetur të demoluar në Kosovën e çliruar. Në Podujevë dëmet kanë qenë të mëdha. Janë djegur krejt bibliotekat bashkë me librat. Sipas informacioneve nga Biblioteka Kombëtare, në këtë qytet kishte 12 biblioteka.
Të gjitha bibliotekat në Podujevë ishin mbyllur nga masat e dhunshme serbe në vitin 1990, ndërsa punëtorët shqiptarë ishin përjashtuar nga puna. Këtë e dëshmon edhe letër-këmbimi mes ish-drejtorit të bibliotekës Mehmet Gërguri dhe historianit, ilirologut e akademikut kroat me prejardhje shqiptare, Aleksandar Stipčević.
Atë kohë, Aleksandër Stipçeviq i kërkonte Gërgurit të dhëna të hollësishme për gjendjen e krijuar në Kosovë për ta paraqitur situatën para opinionit kroat në gazetën “Globus”. Ndër të tjera, Gërguri i shkruan Stipçeviqit se në Podujevë ishin mbyllur 12 biblioteka dhe shqiptarët ishin përjashtuar nga puna. Gjendjen e atëhershme nga terrori serb, Stipçeviq e kishte shkruar në një artikull në gazetën kroate “Globus” në gusht të vitit 1991.
Edhe nga Biblioteka e Podujevës e faktojnë një gjë të tillë. “Bibliotekat kanë qenë funksionale nën masa të dhunshme të administrimit serb. Biblioteka në qytet është djegur bashkë me të gjitha librat gjatë luftës. Gjithashtu, janë djegur edhe bibliotekat nëpër bashkësi lokale”, shkruajnë nga Biblioteka e Podujevës. Informatat nga Biblioteka e Kaçanikut tregojnë se gjatë masave të dhunshme janë mbyllur tri biblioteka në fshatrat Doganaj, Stagovë e Kaçanik të Vjetër.
Juniku, Prizreni, Deçani e Istogu
Juniku ka pasë bibliotekë funksionale e pasuruar me 31 mijë libra. Biblioteka është djegur në luftën e fundit. Në Prizren shqiptarët janë përjashtuar nga bibliotekat, ndërsa nuk janë lejuar të hyjnë libra shqip. Nga Deçani thonë që biblioteka gjatë luftës nuk ka qenë funksionale dhe janë humbur e asgjësuar sasi të mëdha të librit shqip. Të dhënat nga Biblioteka e Istogut faktojnë se në këtë qytet gjatë luftës janë zhdukur 11 mijë e 786 libra, ndërsa është djegur biblioteka në fshatin Vrellë.
Zhdukja e librave nga Universiteti i Prishtinës
Sipas raportit nga IFLA, UNESCO dhe Këshilli Europian (KE), në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë humbur sasi të mëdha librash. Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) janë asgjësuar librat nga bibliotekat e këtij fakulteti. Një pjesë e madhe e librave janë plaçkitur edhe në Fakultetin i Filologjisë. Në Fakultetin e Ekonomisë janë zhdukur gjatë luftës më shumë se 20 mijë libra. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (FNA) thuhet se janë zhdukur të gjitha librat. Shkatërrime librash kanë ndodhur në Fakultetin Juridik.
Shkatërrimi i koleksioneve fetare
Shkatërrime të mëdha gjatë luftës i kanë ndodhur edhe bibliotekave dhe literaturës fetare islame. Të dhënat nga IFLA shkruajnë se në qershor të vitit 1999, është djegur Arkivi Qendror i Komunitetit të Bashkësive Islame (KBI) në Prishtinë. Në mars të vitit 1999 është djegur biblioteka e Sylejman Agës në Gjakovë bashkë me 200 dorëshkrime e libra nga turkishtja otomane, arabishtja dhe letërsia alamiado (libra shqip me shkronja arabe). Gjithashtu janë djegur arkivat në Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) bashkë me dokumente nga shekulli XVII. Nga forcat serbe është shkatërruar Teqeja e Bektashinjve bashkë ne 250 dorëshkrime e rreth 2 mijë libra në maj të vitit 1999. Rreth 2 mijë libra e 100 dorëshkrime janë djegur bashkë me bibliotekën Atik Medresesë në Pejë. Në Ferizaj është djegur shkolla teologjike nga periudha otomane Atik Medreseja.
Pasurimi i Bibliotekave të Kosovës
Pasluftës bibliotekat u ndërtuan nga fillimi pavarësisht kushteve të vështira që ishin shkaktuar nga lufta. Paslufte, Ligji për Bibliotekat është miratuar më 23 qershor 2003. Në vitin 2012 është shfuqizuar ky ligj e është miratuar një tjetër ligj më 26 prill 2012 dhe është publikuar më 4 Maj 2012 në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Bibliotekat e të gjitha qyteteve të Kosovës ndër vite janë pasuruar me libra në gjuhën shqipe e gjuhë të tjera. Aktualisht në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” gjenden 2 milionë e 100 mijë njësi mediatike dhe më shumë se 500 mijë tituj librash. Nga ana tjetër, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2020, në të gjitha bibliotekat e qyteteve të Republikës së Kosovës gjenden 1 milion e 884 mijë e 872 libra./FolDrejt/