26 personat më të pasur të botës kanë një pasuri të barabartë sa gjysma e banorëve më të varfër të botës, thotë në studimin e saj Oxfam. Sipas studimit, qeveritë duhet të shtojnë taksat ndaj të pasurve dhe më pas tu shpërndahet të varfërve, për të zbutur këtë jobarazi.
Më tej studimi pretendon se po të rritet një taksë prej vetëm 1% mbi pasurinë, do të grumbulloheshin 418 miliardë dollarë në vit, mjaftueshëm sa për të arsimuar çdo fëmijë që nuk shkon në shkollë e për të siguruar një kujdes të tillë shëndetësor që do të mundësonte parandalimin e 3 milionë vdekjeve.
Oxfam-i del në përfundimin se mbi 2200 miliarderë në mbarë globin e kanë shtuar pasurinë e tyre me 900 miliardë dollarë në vitin 2018, apo 2.5 miliardë dollarë në ditë. Rritja prej 12% në pasurinë e shumë të kamurve pati kontrast me rënien prej 11% të pasurisë së më të varfërve të globit. Sipas raportit, që 10 vitet që pasuan krizën financiare globale, numri i miliarderëve thuajse është dyfishuar.
“Popujt rreth botës janë të zemëruar dhe frustruar,” thotë drejtori ekzekutiv i shoqatës Winnie Byanyima.
Nga 1980 deri 2016 gjysma e më të varfërve në botë fituan vetëm 12 përqind të pasurisë së botës, krahasuar me 27 përqind që ishte vlera e përfituar nga 1 përqind e më të pasurve të botës.