Në datën 16 dhe 17 nëntor 1944, pra 78 vjet më parë, forcat komuniste jugosllave në bashkëpunim me çetnikët, përkundër dallimeve ideologjike, u bashkuan për të vrarë shqiptarët në Bllacë. Plot 128 dëshmorë, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, ishin pjesë e masakrës jugosllave në fshatin shqiptar.
Shkruan: Fitim Dika
Me largimin e forcave naziste gjermane nga trojet shqiptare, u krijua një vakum kontrolli. Bullgarët menjëherë kthehen me kampin e Antantës për të rimarrë Maqedoninë dhe Kosovën Lindore, ngjashëm serbo-malazezët (jugosllavët) bëhen bashkë për të marrë kontrollin e tërësishëm të Kosovës e Maqedonisë. Shqiptarët pas ndarjes në partizanë e ballistë, ishin të pafuqishëm për t’u bërë ballë sllavëve.
“Më 16 nëntor 1944 hyri në Kaçanik edhe Brigada XVI e Maqedonisë, me çetnikët e komunistët e Karadakut të Shkupit. Kjo njësi e UNÇJ-së komandohej prej Glisha Sharanoviqit, një serb albanofob i dëshmuar, vetëm prej 6 tetorit deri më 14 nëntor 1944, prej Karadakut të Shkupit deri në Shkup, pushkatoi rreth 200 shqiptarë të paarmatosur, civilë – “të cilët ishin në shërbim të okupatorit”(!?!), kurse më 16 e 17 nëntor 1944, në fshatin Bllacë të Kaçanikut, pushkatoi 128 shqiptarë moshash të ndryshme,” shkruan Dr. Muhamet Pirraku në librin e tij “Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja e Kosovës Lindore 1941-1951”.
Për një veprim të tillë terrorist e gjenocidist antishqiptar partizanët jugosllavë kishin mbështetje në një urdhëresë sekrete të Shtabit Suprem të UNÇ-së dhe AP-së të Serbisë, që “njësitë ushtarake jugosllave në operacionet për “çlirimin përfundimtar” të Kosovës e të viseve shqiptare të tjera, të vrisnin sëpaku 50 përqind të popullsisë shqiptare”. Kjo urdhëresë mbështetej në Elaboratin e Vasa Çubriloviqit të datës 3 nëntor 1944 (për spastrimin e Jugosllavisë nga pakicat kombëtare, e veçanërisht prej shqiptarëve).
Në këtë përvjetor, ne na mbetet vetëm të lutemi për dëshmorët shqiptarë, duke kujtuar thënien e Mulla Idrisit se “në Mbrojtje të Atdheut vritet vetëm ai që e ka fat shehitllëkun”.
Vitet e ardhshme do ishin të rënda për shqiptarët nën Jugosllavi, por mbase do kishte kahje tjetër sikur komunistët shqiptar të merrnin mësim nga këto ngjarje dhe nga Kapiteni Shefqeti që thoshte prej LDB
“Kurra e kurrës nuk do të shtrohem para premtimeve boshe të komunistëve, që kanë për objektiv copëtimin e Shqipërisë, varrosjen e saj…!”./FolDrejt/