Kur luante për ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2007, Bojan Krkiq, vetëm 17 vjeç, theu rekordin e lojtarit më të ri në skuadrën e parë të Barcelonës, që mbahej nga Leo Messi. Pritej shumë nga Krkiq, por 32-vjeçari nuk e realizoi kurrë plotësisht potencialin e tij.
Ai supozohej të ishte Messi i ri
Krkiq fitoi gjithçka që kishte për të fituar me Barcelonën, dhe pas largimit nga Camp Nou ai luajti për Romën, Milanon, Ajaxin, Stoke Cityn, Mainzin, Alavesin, Montrealin dhe Vissel Koben, ku ishte deri në fillim të muajit të kaluar, kur klubi japonez ka ndërprerë kontratën. Krkiq pranoi disa vite më parë se e kishte të vështirë të përballej me presionin dhe se vuante nga ankthi, i cili e pengonte karrierën e tij. Vitin e kaluar ai pësoi një dëmtim të rëndë nga i cili nuk u rikuperua plotësisht dhe japonezët e larguan.
Ai filloi një biznes me Iniestën
Sipas mediave spanjolle, Krkiq nuk e ka pasur të vështirë gjendjen financiare pasi ka kthyer menjëherë një faqe të re në jetën e tij dhe i është përkushtuar biznesit privat. Krkić e ka dashur edhe çiklizmin gjatë karrierës së tij si lojtar, dhe tani vendosi të kombinojë të këndshmen me të dobishmen dhe në partneritet me ish-bashkëlojtarin Andres Iniesta, hapi kompaninë Guava Sport, e cila prodhon biçikleta luksoze dhe të shtrenjta për shtigje malore. Duke qenë se sapo kanë filluar të merren me këtë biznes, aktualisht kanë vetëm një model dhe kushton deri në shtatë mijë euro.
“Kur hyra në këtë projekt, e dija që do të vazhdoj të merrem me çiklizëm. Është një mënyrë e mirë për të kombinuar sportin dhe shoqërimin. Së shpejti mund të marr pjesë edhe në gara dhe mendoj se jam gati. Gjithmonë e kam dashur këtë sport, dhe për pesë vitet e fundit jam më serioz për këtë”, thotë Krkić, kompania e të cilit ndodhet në Barcelonë, transmeton Fol Drejt.