Ndonëse sipas të dhënave të Bankës Qendrore (BQK) që tregojnë se Investimet Direkte në Kosovë deri në qershor të vitit 2023 shënoi rezultatet prej 271.9 milionë eurosh, ato amerikane kanë pësuar rënie, shkruan Fol Drejt.
Investimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), sipas Indeksonline kanë rënë për 50%, në periudhën janar – qershor 2023.
“Për periudhën janar-qershor 2023 nga SHBA ka 25.35 milionë euro investime, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2022) ku kishte investime 48.39 milionë euro” – shkruan ky medium.
Gjermania, Zvicra, Turqia, Shqipëria, Austria – u paraprijnë ShBA-ve, sipas disa të dhënave.
Por çfarë thonë të dhënat e BQK-së?
“Bilanci i investimeve direkte në Kosovë deri në qershor 2023 shënoi rezultat prej 271.9 milionë euro, që tregon se vlera e ID në Kosovë (374.2 milion euro) është më lartë se ID të investuara nga kosovarët jashtë (101.9 milion euro). Investimet direkte arritën vlerën 374.2 milion euro e që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (327.3 milionë euro deri në qershor 2022).
Bilanci i investimeve në letra me vlerë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në qershor 2023 janë rritur për 86.7 milionë euro.
Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative (135.9) milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë. (vlerë prej 285.4 milionë euro deri në qershor 2022).
Asetet rezervë deri në qershor 2023 janë rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro.”
/FolDrejt/