Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar sot qytetarë të Prishtinës, me ç’rast ka pranuar prej tyre ankesa në lidhje me koston e papërballueshme të jetesës.
Sipas Abdixhikut, me pushtetin aktual, mijëra njerëz po përpiqen t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve.
“Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20%, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50%. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka patur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë.”, tha Abdixhiku.
Tutje, sipas Abdixhikut, propozimet e LDK-së janë refuzuar jo sepse nuk ishin adekuate, mirëpo se ishin të LDK-së.
“Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë.”, ka thënë tutje Abdixhiku./FolDrejt/