Milan Kundera njihet si shkrimtar i shquar në letërsinë botërore. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja duke mbledhur kështu sa më shumë lexues rreth vetes. Kundera është shkrimtar franko-çek.
Ai lindi në Çeki por nga viti 1970 emigroi në Francë. I takon grupit të shkrimtarëve që jetuan në kohën e komunizmit, dhe me fuqinë e mendimit e të penës qoftë në heshtje apo me zë luftoi kundër regjimit komunist e për të drejtat e njerëzve të shtypur të izoluar politikisht që braktisnin atdheun për shkak të përndjekjes politike.
Kundera ishte vetë emigrant, andaj edhe në veprat e tij trajtoi aspektet e jetës politike e shoqërore, e një trajtesë të tillë e gjejmë te romani “Mosdija”, që është romani i parafundit i këtij poeti botuar për herë të parë në vitin 2000 në gjuhën spanjolle me titullb( L’ ignorence).
Është roman romantiko-psikologjik, në gjuhën shqipe u botua në vitin 2014 nga shtëpia botuese ” Dituria”, në përkthim të Mirela Kumbaros me titull përshtatur origjinalit ” Mosdija”.
Romani mosdija është roman që lexohet me një frymë, fillohet sot dhe përfundohet po sot, roman ku secili lexues gjen botën e vet shpirtërore e sociale qoftë në aspektin personal , familjar apo kolektiv.
Lidhje të ngushtë me temën e emigracionit kemi ne shqiptarët, tek ne kjo është temë e ditës sidomos tek të rinjtë.
“Mosdija”, sjell te lexuesi mallin dhe vuajtjen, mallin për atdheun e humbur prej vitesh dhe vuajtjen që shkakton ky mall, sjell kthimin dhe zhgënjimin.
Filllon me dialogun në mes Irenës një emigranteje nga Çekia, e cila kishte njëzet vjet që jetonte në Francë me miken e saj franceze Silvian. Silvia e nxit Irenën të kthehet në atdhe ku kishte përfunduar regjimi komunist dhe po lulëzonte fara e Revolucionit, përballë njê Silvie të gatshme për kthim qëndron një Irenë e ftohtë dhe e pandjenja ndaj kthimit drejt Çekisë.
– Po ç’bën akoma këtu? Zëri i saj s’ishte dashakeq por as i ëmbël jo.
Silvia ishte e zemëruar.
Pse ku duhej të isha? Pyeti Irena.
Në shtëpinë tënde!?
Do të thuash se ketu s’jam në shtëpinë time?
Irena ishte larguar drejt Parisit për të gjetur lirinë e munguar në Pragë nga përndjekja politike. Liri kjo e cila nuk i solli lumturinë, veçse dhimbjen, kujtesën, harresën e të gjitha këto të mbështjella me pelerinën që asaj i krijoi vetminë. S’ ishte e migruar veç Irena, të tillë kishte edhe shumë të tjerë, Gustavi nga Suedia e Jozefi nga Danimarka që është personazhi tjetër kryesor i romanit. Si Irena edhe Jozefi kanë kaluar dy dekada larg vendlindjes dhe vjen një ditë kur vendosin të kthehen. Këta të dy para se të emigronin kishin pasur një
lidhje dashurie, por jeta dhe dashuria e tyre ishte këputur me kohën e emigrimit, për të rigjetur pikën e bashkimit ditën kur gjersa po kthehen, takohen në një aeroport të Parisit.
-A do të jetë i mundur një bashkim i tillë?
– A ka ndikuar malli dhe vuajtja e mërgimit në shpirtrat dhe ndjenjat e tyre?
Romani ” Mosdija” nuk është roman i ” Kthimit të madh” siç e mendon Silvia në fillim të romanit, përkundrazi është roman j një kthimi të vogël, në fakt një kthim zhgënjimi, që na lë tê kuptojmë se këta emigrantë janë ” të huaj në vendlindje” e ” venali në vend të huaj”.
20 vjet emocione të humbura, 20 vjet të harruar nga familja e shoqëria, madje të larguar nga listat e të gjallëve, thjesht njerëz të mbuluar me pluhurin e harresës. Çdo gjë e tyre s’është më e tyre, janë shpronësuar pronat, shtëpitë, tablotë e madje edhe orën e dorës ia kanë marrë Jozefit.
Ai, Irena dhe gjithë emigrantët e tjerë kanë me vete veç kujtimet edhe ato të zbehura e të gatshme për të mbaruar nga vetmia dhe mungesa e shoqërisë.
E këtë realitet e kuptojnë protagonistët tanë veç atëherë kur e shohin sy më sy, Jozefi kur qëndron bashkê me vëllaun e kunatën teksa po lexonte ditarin e kohës së rinisë dhe Irena në darkë të organizuar nga vetë ajo me miket çeke, të cilat as që interesoheshin se çfarë jete bën ajo atje, me çka merret madje injorohet për përzgjedhjen e saj , qoftë edhe venën për të ngre dolli.
Si për Odiseun, ashtu edhe për Jozefin e Irenën, “Itaka” e tyre është vetëm në mendjen e tyre dhe ata mund ta njohin vetvetën vetëm kur janê larg atdheut me ndodhitë dhe ngjarjet që u kanë ngjarë atje
“Për 20 vjet ai kishte menduar vetëm për kthimin e tij, por kur u kthye e kuptoi i habitur se jeta e tij, vetë thelbi i jetës së tij, thesari i tij ishte jo në Itakë, por jashtë swj në ato bredhjet endacake. Por atë thesar që kishte humbur mund të kthehej vetëm duke rrëfyer”
Të tillë rrëfim s’gjejmë në romam, askush nuk lodhet tê dijë jetën e të mërguarve çka bëjnë e me çka merren, sa miligramësh është doza e dhimbjes dhe mallit që i ka kapluar. Janë të huaj larg atdheut, e edhe më të huaj kur ndodhen brenda tij.
“Emigranti s’ është tjetër veçse emigrant i cili me kalimin e viteve e sheh që ka ndryshuar dhe s’është i njejti njeri”
Romani ” Mosdija” është roman i pikëpyetjeve të shumta që i shtrojnë vetes Irena dhe Jozefi. Çfarë do të ishte jeta e tyre pa emigrimin? A do të ishte dashuri e gëzim në vend mallit e nostalgjisë. ” Mosdija” ka bërë bashkë kujtesën, harresën, mosdijen e mallin. ” Mosdija” nuk është një mosdije e zakonshme, është mosdije e atyre qê mërgojnë pa e ditur se çka ngjarë dhe atyre që mbesin e s’duan të dinë për fatin e atyre që s’janë më pjesë e atdheut.
Vlen të theksohet edhe fryma autobiografike e romanit ani pse poeti nuk e quan roman autobiografik. Kundera ishte emigrant dhe vetë ai kërkoi një Itakë lirie
“Jemi të gjithe nga pak Odise dhe të gjithë kemi nevojë për një “Itakë dashurie” …cit. (Agim Baçi)
Udhëtimi drejtë Itakës apo Çekisë nuk është udhëtim drejt një vendi, por thirrje për të udhëtuar drejt asaj që duam. “Gjithmonë është një Itakë që duhet kërkuar vetëm duhet ditur ku ta kërkojmë”…
Edhe Jozefi edhe Irena e Gustavi udhëtojnë drejtë Itakës së tyre për të gjetur plotëninë e jetës.
” Mosdija” është një psikëanalizë që rri pezull me një fund dramatik, ku shohim bashkë Irenën me Jozefin, një kthesë, një shpresë për një të ardhme të ndritur sheh Irena tek Jozefi, por ai te Irena sheh vetëm një moment kënaqësie pa shpresën për të ardhmen, për ta bërë kthimin në Çeki edhe më të pakëndshēm.
Kundera dhe Kadareja janë shkrimtarë me histori të ngjashme dhe me vetëm një dallim, jetuan në kohën e komunizmit, jetojnë në Francë dhe pëderisa Kadareja vazhdon të krijojë, Kundera ka ndaluar së shkruari, sepse sipas tij, i ka thënë të gjitha që duhej thënë./FolDrejt/