Opinion nga Xhemail Çupi, Doktor i shkencave politike
Pas një periudhe të vështirë pandemike dhe trazirave në Lindje të Mesme, Ballkani Perëndimor kthehet fuqishëm në agjendën e politikave ndërkombëtare, prej të cilave veçojmë agjendën evropiane dhe agjendën atlantike.
Kur jemi te agjenda evropiane, theksi bie mbi BE-në, përkatësisht mbi politikat e Komisionit Evropian në lidhje me Ballkanin Perëndimor, prej të cilave kanë derivuar shumë takime të krerëve të rajonit, duke kulmuar me Procesin e Berlinit dhe me samite të tjera, e fundit e të cilave ishte ajo në Tiranë (qershor, 2021) para disa ditëve; Ndërsa në lidhje me agjendën atlantike, kujtojmë “Urdhrin e prerë të Presidentit të SHBA-së – Xho Bajden drejtuar udhëheqësve politik të Ballkanit Perëndimor” që ndërlidhet me ruajtjen e qetësisë në rajon, rikthimin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Me të drejtë, parashtrohet pyetja: Çfarë lidhje kanë këto samite dhe urdhra presidenciale me “Agjendën e Gjelbër” të linçuar së fundmi nga kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti?
Kujtoj se samitet dhe marrëveshjet e liderëve të Ballkanit Perëndimor i paraprinë Samitit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Zagreb (maj, 2020), ku u konkludua për një Plan Ekonomik dhe Financiar të miratuar nga Komisioni Evropian (tetor, 2020). E gjithë kjo e kishte si pikënisje “Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane”, që ka si synim që deri në vitin 2050, ta bëjnë ekonominë e Evropës të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës.
Në Samitin e Sofjes (2019), zyrtarë të lartë të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, në përputhje me vlerat dhe normat e BE-së dhe për të krijuar një treg të përbashkët rajonal, me masat e mbrojtjes së mjedisit, ekonominë e gjelbër dhe projektet e energjisë.
Ndërsa posaçërisht në Samitin e fundit të mbajtur në Tiranë (qershor, 2021), përmes edhe të ftuarit të veçantë të BE-së, përkatësisht komisionerit evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi erdhi edhe plani financiar prej 30 miliardë eurosh (9 miliardë euro grante dhe 21 miliardë euro kredi), një instrument kyç që do ti ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të rimëkëmben në një epokë post-pandemike dhe të punojnë mbi rezistencën social-ekonomike. Bashkimi Evropian do të mbështesë zbatimin e saj përmes disa instrumenteve financiare sikurse janë: Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA III), Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+) dhe instrumente tjerë financiarë të BE-së.
Duhet pranuar se “Agjenda e Gjelbër” është një ndër zhvillimet më të rëndësishme të vendeve të rajonit, sidomos sa i takon zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimit të ambientit tonë pro nesh dhe ju kundër nesh. Mos harrojmë se “Agjenda e Gjelbër” ishte e theksuar edhe në Procesin e Berlinit (2014). Në këtë marrëveshje parashikohej bashkëpunimi rajonal në kuadër të komunitetit të energjisë për Evropën Juglindore, veçanërisht për sa i përket sigurisë energjetike, synimeve të efiçiencës energjetike dhe mbrojtjes klimatike. Kjo marrëveshje konfirmohet edhe me marrëveshjen e Sofjes (2019), ku mes tjerave miratohet edhe plani i veprimit për një treg të përbashkët në rajon dhe e ashtuquajtura “Agjendë e Gjelbër” dhe adresimin e disa prej sfidave më të mëdha në rajon në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Kjo agjendë përfshin: veprimin e klimës, një sistem të qëndrueshëm të furnizimit me ushqim, luftën kundër ndotjes, digjitalizimin e efiçiencës së energjisë, menaxhimi me mbeturina (riciklimin apo kthimin e mbeturinave në burim energjie), ekonomia qarkore, bujqësia dhe ruajtja e biodiverzitetit.
Arsyeja pse theksova Planin Ekonomik dhe Financiar të BE-së për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë “Agjendën e Gjelbër” dhe marrëveshjet rajonale të shteteve të rajonit është se kjo agjendë nuk ka marrë vëmendje të madhe mediatike dhe interesim nga sektori civil këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. I vetmi subjekt juridik që ka nuhatur këtë proces është Bashkimi Demokratik për Integrim. Pikërisht në ditën botërore të mjedisit, kreu i kësaj partie, z. Ahmeti, shpalosi edhe shtyllën prioritare të programit politik dhe njëherit edhe kryefjalën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të quajtur pikërisht “Agjenda e Gjelbër”. Në anën tjetër, kryeministri i vendit, z. Zaev, konsideroi se partneri i tij qeverisës, me këtë potez ka përfunduar agjendën etnike dhe është përqendruar te qytetari. Madje ai personalisht e ndihmoi në aspekt të PR-it dhe marketingut, duke paralajmëruar disa ditë më parë se partneri i vet planifikon një projekt gjigand.
Ana pozitive e kësaj strategjie është se ajo harmonizohet dhe kanalizohet me projektet, planet dhe fondet e BE-së. Mesa duket, si herën e parë, ku përzgjodhi integrimet (referohem tek emri Bashkimi Demokratik për “Integrim” dhe te programet e vazhdueshme për integrim në NATO dhe BE), edhe kësaj radhe BDI vazhdon të ndjek trendin e modernizimit dhe ribrendimit si subjekt juridik, në kohën kur subjektet e tjera politike vazhdimisht i kanë kritikuar lëvizjet strategjike të saj, duke mos sjellë diçka që do të kishte bindur elektoratin për të bërë rotacionin politik (siç bën kritikë edhe vet autori).
Ana negative e kësaj strategjie është se në kohën kur me Ministrinë e mjedisit jetësor dhe planifikimin hapësinor, me ministrinë e Ekonomisë por edhe shumë dikastere tjera qeveritare udhëheq BDI-ja, por edhe shumë funksione që ndërlidhen me ekologjinë dhe mjedisin që kjo parti i ka patur në të kaluarën, mund të themi lirshëm se gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ata nuk kanë treguar ndonjë sukses të veçantë, përkundrazi, problemet ekologjike dhe menaxhimi i dobët me deponitë kanë qenë problemet kryesore me të cilat jemi ballafaquar dy dekadat e fundit. Andaj, konsideroj se partia që synon se buron nga UÇK-ja, në kohën kur akoma nuk ka zgjidhur statusin e ushtarëve të UÇK-së dhe akoma nuk ka implementuar qind për qind marrëveshjen e Ohrit; Partia që ka sinonim integrimet, në kohën kur Maqedonia e Veriut bllokohet për hapje në negociatave me BE-në me VETO-n e Bullgarisë, kjo parti pasi ka nuhatur fondet dhe grantet miliarda eurosh evropiane për projekte të gjelbërta, tenton përmes ribrendimit të saj, të përfiton shuma marramendëse në favor të vet.
Po mirë, çlidhje ka agjenda atlantike në këtë mes?
E para, Presidenti i ri i SHBA-ve, Xho Bajden, përmes takimit të fundit në Samitin e G7 të mbajtur në Britani, konfirmoi rolin e vet udhëheqës në skenën botërore (polic të botës) dhe bashkë me shtetet evropiane u zotuan për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ndërsa ditë më parë, erdhi edhe një urdhër nga vet Presidenti i SHBA-ve, drejtuar udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. Urdhëri u referohet pikërisht dy kategorive:
- Personave të cilët, janë përgjegjës apo pjesëmarrës direkt apo indirekt, në prishjen apo në aktivitetet që e pengojnë apo e kërcënojnë implementim e çdo sigurie rajonale, paqësore apo marrëveshje për bashkëpunim apo marrëveshje kornizë lidhur me Ballkanin Perëndimor, me theks për Maqedoninë e Veriut mbi Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Ohrit; dhe
- Personave që janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, të përfshirë në korrupsion në rajon, përfshirë edhe shpërdorim të mjeteve publike, tjetërsim të pronës private për interes personal ose për qëllime politike apo mitë.
Sipas bindjeve të mia, urdhëri i parë i Presidentit të SHBA-ve bie pikërisht mbi ato që kanë patur pushtet të gjatë, përkatësisht VMRO dhe LSDM në palën maqedonase dhe BDI në palën shqiptare. Kur jemi te Marrëveshja e Prespës, theksi bie mbi VMRO-në, pasi ajo është partia e vetme që konteston këtë marrëveshje me Greqinë; ndërsa kur jemi te Marrëveshja e Ohrit, theksi bie mbi LSDM-në dhe BDI-në, sepse ato janë shkaktarë për mos implementimin e plotë së saj. Andaj BDI, para se të kalojë në “agjendë të gjelbër”, pasi është parti që pretendon se është e dalë nga UÇK-ja duhet të kujtojë “agjendën kuq e zi” dhe të kujdeset dhe të insistojë që të implementohet tërësisht kjo marrëveshje, pasi pretendon se është integruese, duhet të kujtojë “agjendën blu” dhe të përfshihet në procesin e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në të kundërtën konsiderohet se janë inferior karshi urdhërit të superfuqisë botërore të SHBA-së.
Ndërsa nëse analizojmë urdhrin e dytë të Presidentit të SHBA-së, ajo u referohet secilit që tenton të keqpërdor fondet ndërkombëtare. Marrë në konsideratë proceset e pa përfunduara korruptive të eksponentëve të lartë të BDI-së, si “Maxhar Telekom”, Presidenti i SHBA-ve sikur u thotë: “Kush prej politikanëve në Ballkan (dhe atyre në Maqedoni të Veriut) tenton të shpërdorojë mjetet publike, gjegjësisht fondet 30 miliard eurosh, të miqve të mi evropian për interes personal ose për qëllime politike, do përballet me mua dhe do futet në listën time të zezë”.
Dibër, 14.06.2021