“Pas librave të tij nuk kam mundur t’i shikoj më njësoj filmat. Natyrisht, kjo do të thotë që më ka ngelur merak për shumë filma që nuk do të kem kohë t’i rishikoj.
Todd McGowan, profesor i Anglishtes, në Universitetin e Vermont në ShBA, është njëri ndër filozofët më të rëndësishëm të teorisë psikanalitike të filmit. Me McGowan, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet përkrahës i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, patëm një bashkëbisedim online.
McGowan u interesua për përvojën tonë në ekzekutiv, për programin dhe planin tonë të qeverisjes alternative, si dhe për gërshetimin midis reformave vertikale socio-ekonomike me sfidat horizontale gjeo-politike. Me të po ashtu diskutuam edhe për zgjedhjet presidenciale në ShBA, dhe ndryshimet që mund të ndodhin me fitoren e presidentit-të-zgjedhur Biden, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtmen të ShBA-ve.
Ndër librat e McGowan që më kanë pëlqyer më së shumti janë: “The Impossible David Lynch” dhe “Psychoanalytical Theory and The Rules of the Game”. Kurse, libri i tij për Hegelin, i botuar vitin e kaluar, ka nxitur debate interesante në shumë rrethe filozofike botërore.
Përfshirja e teorisë psikanalitike në teorinë e filmit, i dha kësaj të dytës një hov të madh të zhvillimit dhe zgjoi interesimin edhe të disciplinave tjera, duke përfshirë edhe filozofinë. Sigmund Freud, por sidomos teoria Freudiane e Jacques Lacan transformoi raportin tonë me filmin.