Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka folur edhe për çështjen e asociacionit duke deklaruar se çka kjo do të ishte është çështje për qeverinë e Kosovës.
Në një intervistë për televizionin publik, Hovenier ka thënë se askush nuk është i interesuar për Republikën “Srpska”, në Kosovë.
Lidhur me asociacionin ai përmendi Planin e Ahtisaarit, duke thënë se është një lloj entiteti të komunave, të cilave iu jepen funksione shumë specifike përmes decentralizimit.
“Më kujtohet kur u përmend për herë të parë kjo çështje – nga koha e bisedimeve për status nën presidentin Ahtisari – dhe e pata nderin dhe kënaqësinë t’i udhëhiqja negociatat për aranzhimet që do të mbronin komunitetet etnike në Kosovë. Pra, kjo u përmend për herë të parë atje, kjo ide që të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Dhe nëse e shqyrtoni Shtojcën 3 të Planit të Ahtisaari, në të ka madje shenja për diçka të tillë, një lloj entiteti të komunave, të cilave iu jepen funksione shumë specifike përmes decentralizimit – më shumë kompetenca sesa që komunat zakonisht kanë për shkak të shqetësimit të disa komuniteteve të caktuara që dëshironin të kenë qeverisje në nivel lokal, që të kenë mundësi për t’u koordinuar, për t’i shkëmbyer praktikat më të mira, për të pasur trajnime të përbashkëta dhe për të shkëmbyer përvojat”, tha ambasadori amerikan.
Hovenier thekson se duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe, por këtë gjë sipas tij e vendos vet Qeveria e Kosovës.
Çështja se çka do të ishte është çështje për qeverinë e Kosovës. Do të thosha se madje edhe atëherë, në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive, diçka që… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Sërpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme. Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit. Dhe pika e fundit për këtë: Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe. Siç e thashë ishte element (edhe pse jo me atë emër) në procesin e Ahtisarit dhe pastaj, natyrisht edhe në procesin e Brukselit dhe marrëveshja e Brukselit i referohet specifikisht asaj.
Tutje lidhur me asociacionin tha se ka modele të cilat SHBA mendon se mund të funksionojnë është inkurajuar Qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje.
“Qeveria ime vazhdon të mendojë – nuk po ju them asgjë të re – që presim që Qeveria e Kosovës t’i përmbahet zotimeve që i ka marrë. Që do të thotë se ne besojmë se duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Por, siç e kemi thënë shumë herë, besoj madje edhe kolegu im Matt Palmer ju ka thënë pikërisht në këtë tryezë, ne nuk ju diktojmë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të jetë. Ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka modele të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, tha ambasadori amerikan në RTK, përcjell Telegrafi.