Sonda Odysseus të enjten u bë anija e parë kozmike amerikane në më shumë se gjysmë shekulli që u ul në Hënë.
“Intuitive Machines”, kompania me bazë në Houston të Teksasit që ndërtoi anijen, u bë kompania e parë tregtare që uli ndonjëherë një anije kozmike në sipërfaqen e Hënës, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Ne mund të konfirmojmë padyshim se pajisjet janë në Hënë”, tha bashkëthemeluesi dhe shefi i teknologjisë i “Intuitive Machines”, Tim Crane në transmetimin e drejtpërdrejtë të uljes të NASA-s, “Odysseus ka një shtëpi të re”.
Anija kozmike u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida javën e kaluar dhe hyri në orbitën e Hënës të mërkurën. Kontakti më Hënën të enjten e bëri këtë uljen e parë amerikane në Hënë që kur programi Apollo i NASA-s përfundoi në vitin 1972.
Sonda Odysseus mban disa instrumente të NASA-s, përfshirë një fener radio për të transmetuar vendndodhjen e tij të saktë si dhe kamera me rezolucion të lartë për të kapur se si ndryshon sipërfaqja e Hënës nga ndërveprimet me gazrat e motorit të anijes.
“Intuitive Machines” është një nga disa kompani që janë miratuar nga Agjencia Hapësinore Amerikane për të ndërtuar sonda privatë hënor që mund të dërgonin ngarkesa shkencore në hapësirë. NASA i pagoi kompanisë 118 milionë dollarë të raportuar për misionin e së enjtes në Hënë.
Ekspertët thanë se këto misione robotike janë të rëndësishme për të eksploruar Hënën ndërsa NASA dhe Agjencia Kanadeze e Hapësirës përgatiten të dërgojnë 4 astronautë për të fluturuar rreth Hënës në misionin e saj të ardhshëm Artemis II vitin tjetër. Nëse ky mision është i suksesshëm, NASA planifikon të nisë misionin e saj Artemis III për një ulje të planifikuar në Hënë në vitin 2026 me 4 astronautë në bord – tre amerikanë dhe një kanadez.