Zyrtarë shtetërorë të Armenisë kanë thënë të martën se të paktën 49 ushtarë ishin vrarë në përleshjet përgjatë kufirit me Azerbajxhanin pas një përshkallëzimi të situatës.
Përshkallëzimi i një armiqësie e cila është e vjetër me dekada midis vendeve të Kaukazit jugor, ka ngritur shqetësimet se një luftë e dytë mund të shpërthejë në botën post-sovjetike, përveç pushtimit rus të Ukrainës, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.
Zyrtarë armenë kanë theksuar se disa qytete pranë kufirit me Azerbajxhanin, duke përfshirë Jermuk, Goris dhe Kapan, po bombardoheshin në orët e para të së martës dhe se Armenia i ishte përgjigjur asaj që e quajti një “provokim në shkallë të gjerë” nga Azerbajxhani.
Ndërsa kryeqyteti Baku tha se ishte sulmuar nga Armenia.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, akuzoi Azerbajxhanin për sulme ndaj qyteteve armene sepse nuk donte të negocionte për statusin e Nagorno-Karabakut, një enklavë e cila është brenda Azerbajxhanit, por e populluar kryesisht nga armenë etnikë.
“Intensiteti i armiqësive është ulur, por sulmet në një ose dy fronte nga Azerbajxhani vazhdojnë”, tha Pashinyan në një fjalim në parlament, sipas mediave ruse.
Azerbajxhani, i cili akuzoi Armeninë për kryerjen e aktiviteteve të inteligjencës përgjatë kufirit, tha se pozicionet e saj ushtarake u sulmuan nga Armenia.