Shtetasi Nikola Vojminovski ishte dënuar me 13.5 vjet burg për shkak se ishte protagonist në sulmin e deputetit shqiptar Ziadin Sela gjatë natës së kobshme të 27 prillit, shkruan foldrejt.com. Por siç mësohet së fundi, ai është arratisur nga burgu dhe kjo ka acaruar drejtuesit e Aleancës për Shqiptarët, shkruan foldrejt.com.
Ndonëse i dënuar me dënim të shkallës së parë, Vojminovskit iu shqiptua arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit. Ndryshe, lidhur me këtë lëndë vendos Gjykata e Apelit pas ankesave të të akuzuarve. Gjykata Penale sot as nuk e demantoi, e as nuk e konfirmoi informacionin se i dënuari Vojminovski është arratisur. Shprehen se janë duke e shqyrtuar rastin dhe më pas do të dalin me prononcim zyrtar.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se MPB-ja është dorëzuar përballë kriminelëve.
“Se Maqedonia po bëhet vendi i çudirave dhe aty ka gjithçka përveç drejtësisë dhe shtetit ligjor, flet edhe ikja e njërit nga sulmuesit e liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selës, i dënuari me 13 vite burg për tentim vrasje Nikolla Vojminovski. Nikolla Vojminovski edhe pse i dënuar për veprën e rënde penale është lejuar të qëndrojë në paraburgim shtëpiak gjoja për arsye shëndetësore dhe në këtë mënyrë institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve!”- thuhet mes tjerash në reagimin e ASH-së.
Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin LSDM-BDI për arratisjen e Vojminovskit dhe shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve pasi pushteti aktual sipas tyre po mundëson arratisjen e kriminelëve./Foldrejt.com