Të paktën 112 palestinezë të tjerë janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, si dhe 148 të tjerë u plagosën derisa Izraeli vazhdon sulmet në Gazën e rrethuar.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se “pushtimi izraelit ka kryer 13 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 112 martirë dhe 148 të lënduar në 24 orët e fundit”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, theksohet në njoftim.
Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës ku të paktën 27.131 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 66.287 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.