Të paktën 32.414 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori i kaluar.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza përmes një deklarate njoftoi gjithashtu se 74.787 palestinezë të tjerë janë lënduar në sulmet, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Sulmet izraelite vranë të paktën 81 persona dhe plagosën 93 të tjerë në 24 orët e fundit”, tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë dhe shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata” thuhet në deklaratë.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.
Lufta izraelite, tani në ditën e saj të 172-të, ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Teksa Hamasi e mirëpriti rezolutën, Izraeli e hodhi poshtë thirrjen për armëpushim dhe u zotua të vazhdojë luftën e tij në enklavën palestineze.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.