Kryeministri Edi Rama ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas ngjarjes së rëndë ku një punonjës policie vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha.
Lleshaj u emërua ministër më 28 nëntor 2018, një ditë pas largimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Opozita e ka kritikuar shpesh për udhëzimin e policisë, kryesisht në rastet e protestave, për të përdorur gaz lotsjellës dhe sidomos për ndërhyrjen e dhunshme me forca të armatosura në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Së fundmi Lleshaj kishte deklaruar tërheqjen nga politika aktive pas përfundimit të mandatit, ndërsa Partia Socialiste nuk e kishte përfshirë në asnjë post drejtuesi qarku apo shtabi elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Dorëheqja vjen pas protestave të dhunshme për shkak të vrasjes së 25- vjeꞔarit, Klodian Rasha, nga një një efektiv i forcave speciale.
“Dorëheqja e dhënë nga unë është një akt moral i cili i adresohet një morti që ka prekur padrejtësisht familjen Rasha. Ky është elementi i parë determinues pas mesazhit të dorëheqjes sime. Mesazhi tjetër është mesazh politik, është shenjë refuzimi ndaj të gjithë atyre të cilët kanë ngritur dorën për të sulmuar policinë dhe kanë ngritur gishtin për të më akuzuar mua si vrasës, është refuzim ndaj atyre të cilët kanë përgjegjësi të mëdha ndaj qytetarëve të këtij vendi që kanë prodhuar krim, që skanë kërkuar kurrë ndjesë që të sfidojnë opinionin publik, që të nxisin dhunën po e tregojnë edhe gishtin e akuzës, ky është thelbi i dorëheqjes sime.” -tha ish ministri Sandër Lleshaj, transmeton FolDrejt.