Partia Popullore Austriake në pushtet (ÖVP) dëshiron të prezantojë masa, të tilla si e drejta për ndihmë sociale vetëm pas pesë vitesh qëndrimi, që do të ndryshonte profilin e emigrantëve në Austri, që do të thotë më shumë njerëz që vijnë për punë dhe më pak azilkërkues, raportojnë mediat austriake.
Vitin e kaluar, Austria miratoi 21,000 kërkesa për azil dhe vetëm 2,900 leje qëndrimi për punëtorët e huaj, përcjell Fol Drejt.
“Ne duhet të marrim masa që do të çonin në faktin se magneti për imigracionin në Austri nuk është sistemi social, por tregu i punës”, tha Ministrja e Integrimit dhe Familjes Susanne Raab (ÖVP) për të përditshmen Die Presse. Austria ka nevojë për emigrantë, por aktualisht “forma e gabuar e imigrimit” është e dukshme, shtoi ajo.
Sistemi i ndihmës sociale i modeluar sipas Danimarkës
Sipas saj, Austria mund të prezantojë një sistem të asistencës sociale për të huajt sipas shembullit të Danimarkës vetëm pas pesë vitesh qëndrimi në Austri, ku niveli i mbështetjes do të lidhej me sukseset gjatë integrimit, veçanërisht mësimin e gjuhës.
Të Gjelbrit, partneri i koalicionit të ÖVP, hedhin poshtë planet e Partisë Popullore. “Ne nuk duam të diskutojmë reduktimin e ndihmës sociale. Kjo varet nëse dikush ka nevojë apo jo, jo nga sa kohë jeton dikush këtu,” tha për Euractiv zëdhënësja e partisë për çështjet e integrimit, Faika El Nagashi.
Sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikave të Austrisë, në vitin 2022 numri i personave me prejardhje migrimi në vend u rrit në 26.4 për qind. Qytetarë me prejardhje migrimi konsiderohen ata, prindërit e të cilëve kanë lindur jashtë Austrisë. Në vend të parë sipas vendit të origjinës është Gjermania, e ndjekur nga Rumania, Turqia, Serbia dhe Kroacia./FolDrejt/