Avokati i njohur Armend Shkoza ka ndarë një fotografi të një patrioti të njohur mitrovicas, Mehmet Aliut, ndryshe i njohur edhe si Hoxhë Banjska, për miqtë e tij në rrjetin social Facebook. Dëshmitë që i ka ndarë me të tjerët, veç që e shquajnë hoxhë Aliun si njeri atdhetar, tregojnë edhe që fshati Banjskë ka qenë i banuar me shqiptarë, transmeton Fol Drejt.
“Ky në fotografi është Mehmet Aliu, i njohur si Hoxhë Banjska. Ka qenë nder kuadrot e para të hoxhallarëve të shkolluar në Stamboll. Hoxhë Banjska është njohur pasi ka qenë imam në Xhaminë e Banjskës, e cila është rrënuar e rrafshuar pas Luftës së Dytë Botërore. Familja e tij, respektivisht ai, ka qenë pronar i shumicës së tokave bujqësore në Banjskë dhe fshatit afër Banjskës, Joshevikut. Të gjitha ato iu konfiskuan. Banjska ka qenë e banuar me shqiptarë, të cilët dal ngadal janë përzënë sistematikisht” – ka shkruar ndër të tjera Shkoza.
Ai është ndalur te përshkrimi i karakterit të Hoxhë Banskas:
“Krahas se ka qenë shërbyes fetar, ai ka qenë edhe aktivist i çështjes kombëtare. Djali i tij, Shasivar Aliu ka qenë Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura të rinisë kosovare të Ballit Kombëtar dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.”
Në fund Shkoza ka treguar se çfarë lidhje familjare ka me këto figura.
Ua kujtojmë që në fundjavën që iku, Banjska e Zveçanit u shndërrua në arenë luftimesh ndërmjet një grupi të armatosur terroristësh serbë, dhe Policisë së Kosovës./FolDrejt/