Bashkimi Evropianë u ka bërë thirrje Kosovës të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore, ndërsa serbëve të marrin pjesë në zgjedhje.
Thirrja e BE-së vjen pak ditë pasi kryetarët e zgjedhur të komunave nisën punën dhe u përballen me protesta të dhunshme.
Zgjedhjet në komunat veriore ishin bojkotuar nga pakica se serbe.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë”, thuhet në njoftimin e BE-së.
BE ka dënuar veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, KFOR-it, Policisë dhe mediave në veri.
Në deklaratë janë paralajmëruar masa të rrepta për palët që nuk zbatojnë kërkesën e BE-së.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Sipas njoftimit, Bashkimi Evropian, pret nga Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët.
“Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut evropian”./BetimipërDrejtësi/