Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, njoftoi sot se është tërhequr nga aktivitetet politike.
Përmes një postimi në facebook, Jashari numëroi disa arsye të vendimit të tij për tërheqje, ndër tjerash duke thënë se asnjëherë nuk kishte pasur pretendime për të marrë pozita politike.
“Këtë vendim e kam marrë në koordinim të plotë me familjen time, për disa arsye:
E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë;
E dyta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra gares edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të gares fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj.
Nuk e kisha besuar që individ të caktuar do të degradonin gjithçka, duke shpifur, shantazhuar, blerë e manipuluar vullnetin qytetar, vetëm e vetëm për të përfituar pushtet dhe ndikim të pamerituar.
Pavarësisht gjithë asaj lufte, ishin rreth 10,000 votues që qëndruan të palëkundur dhe para tyre do të jem gjithmonë mirënjohës dhe falënderues;
E treta, në këtë situatë aspak të favorshme në të cilën gjendemi si shtet duke u nisur nga formimi i asociacionit, inflacioni, varfëria, papunësia, migrimi i të rinjve e sfida tjera, mbetet imediate nevoja për t’u unifikuar si spekter politik, për të përmbyllur procese e për të zhvilluar shtetin tonë;
E katërta, në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë.”, ka thënë Jashari në postimin e tij në facebook.
Tutje, duke falenderuar të gjithë që e përkrahën, Jashari njoftoi se opozitën në Skenderaj do ta vazhdojnë të bëjnë asambleistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartesin e listes, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim./FolDrejt/