Ekipi kombëtar i futbollit i Belgjikës është ende pa trajner pasi eksperti spanjoll i futbollit Roberto Martinez dha dorëheqjen pas largimit të “Djajve të Kuq” nga Kupa e Botës në Katar.
Për “senatorët” belgë Toby Alderweireld dhe Romelu Lukaku, trajneri i ri duhet të bëhet ish-sulmuesi francez Thierry Henry, i cili ishte asistent i Martinezit .
“Nuk ka dyshim se kush duhet të jetë trajneri i ri, për mua Thierry Henry është trajneri i ardhshëm i Belgjikës ”, tha Lukaku për Sky Italia.
“Lojtarët e respektojnë atë, ai fitoi gjithçka në futboll. Ai e di se si të stërvitet, ai e di se çfarë duhet të bëjmë për të arritur atje. Ai e njeh ekipin dhe stafin. Për mua ai është trajneri ideal për kombëtaren tonë” , shtoi sulmuesi i Interit.
Alderweireld gjithashtu u pajtua me të.
“Henry do të ishte zgjidhja e duhur,” tha Alderweireld për televizionin publik belg VRT.
“Henry ka fituar gjithçka që ka për të fituar në karrierën e tij. E kuptoj që nevojitet përtëritje, por edhe ju duhet të dini se nga vijmë. Henry do të ishte zgjidhja përfundimtare në këtë çështje”, shtoi mbrojtësi i Antwerp.
Mediat belge raportojnë se Lukaku do të jetë një nga tre lojtarët, së bashku me Kevin De Bruyne dhe Thibaut Courtois, me të cilët shoqata do të konsultohet për zgjedhjen e trajnerit të ri.
Mes kandidatëve për postin vakant të trajnerit belg përmenden edhe holandezi Louis van Gaal dhe belgu Michel Preud’homme./FolDrejt/