Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj me ftesë të “Deutche Messe” do të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Biznesit për Inovacion dhe Digjitalizim –CEBIT, që mbahet në Hanover të Gjermanisë, nga 11 deri më 15 qershor.
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha pjesëmarrja në këtë panair është me rëndësi për Kosovën.
“Ka ndërmarrje që marrin pjesë në këtë panair. Në vitin e ardhëm do të marrim pjesë me një stendë si Kosovë”, tha ai në lidhje direkte për emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Gjatë kësaj vizite në Gjermani, ministri Beqaj do të takojë ministra të vendeve të BE-së, euro deputetë dhe përfaqësues të kompanive lideri në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, pjesëmarrëse në ketë ngjarje.
Ministri Besim Beqaj, bëri me dije në takimet bilaterale që do të realizojë dhe me organizatorët, do të kërkojë që vitin e ardhshëm edhe kompanitë kosovare të marrin pjesë në Festivalin Evropian të Biznesit për Inovacion dhe Digjitalizim -CEBIT.
“Sot rinia jonë po punon në shumë kompani, në aspektin e IT-së. Kosova ka potenciale për të zgjerua tregtinë. Ne po punojmë që Kosova do të bëhet qendër rajonale në inovacion”, tha Beqaj.