Besnik Tahiri nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i jap fund çështjes së grevës, shkruan Fol Drejt.
Sipas Tahirit, është koha që qeveria t’ua plotësojë kërkesat grevistëve, në mënyrë që greva të marr fund.
Ky është postimi i plotë i tij:
Për më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, qytetarët e Kosovës nuk kanë marrë goditje më të rëndë se kjo që lidhet me bllokimin e procesit mësimor, tash e një muaj.
Nuk ka papërgjegjësi më të madhe se sa një temë që lidhet me tërë një popull, e të trajtohet me këtë indiferencë.
Takimet dhe dialogu me grevistët nisën vetëm atëherë kur u thellua problemi. Ndërsa, zgjidhja është reduktuar në një masë monetare. Në fakt dialogu u konceptua si farsë dhe tallje. Kjo duhet të marrë fund.
Sot, jo më larg se sot, Qeveria duhet t’i plotësojë kushtet e grevistëve, të nisë mësimi dhe të mos bëhet hajgare me një popull./FolDrejt/