Kreativiteti i filloristëve në Maqedoninë Veriore dhe Kosovë vijon të jetë i ulët dhe kryesisht në fund të listës. Ranglista është kryer në bazë të njohurive mbi shkencat natyrore dhe matematikë.
Me fjalë të përgjithshme nga rezultatet e testimit: kreativiteti i gjithë nxënësve ka rënë ndërkombëtarisht, ndërsa në bazë të shteteve, vendet aziatike vijojnë të jenë më të zgjuar se shumë vende europiane. Gjithmonë duke u bazuar te studimi i shkollave ndërkombëtare nga Timms („Trends in International Mathematics and Science Study“), informon foldrejt.com.
Në studimin e Timms janë testuar mbi 300 mijë nxënëse dhe nxënës nga 58 shtete, ku vetëm nga Gjermania kanë marrë pjesë 4900. Nuk duhet ta lidhim rezultatin e dobët me virusin korona, pasi testimi është kryer në 2019, ndërsa rezultatet publikohen tani.
Singapuri i pari në botë, Finlanda në Europë
Si shteti me nxënësit më të zgjuar në fillore llogaritet Singapuri me 595 pikë në shkencat natyrore, ndjekur nga Korea e Jugut, Rusia, Japonia, Kina dhe Finlanda.
Thuajse në fund të listës ndodhet Maqedonia e Veriut dhe Kosova me 426 dhe 413 pikë në shkencat natyrore. Poshtë nesh janë vetëm Arabia Saudite, Maroko, Afrika e Jugut, Pakistani dhe Filipinet. Shqipëria nuk ka marrë pjesë në test.
Sa i takon matematikës, përsëri më të zgjuar janë nxënësit singapurianë (625), ndjekur nga Hong Kongu, Korea e Jugut, Kina, Japonia, Rusia dhe Irlanda e Veriut.
Maqedonia e Veriut ka dalur e 11-ta për nga fundi, kurse Kosova e teta për nga fundi.
Gjermania e pakënaqur me nxënësit e saj
Edhepse ndodhet në mes të listës, mediat gjermane shqetësohen me rezultatin e nxënësve të tyre.
Sekretari shtetëror për arsimin në Gjermani, Christian Luft, shprehet se me rezultatet “nuk mund të jemi të kënaqur, ku rreth një e katërta e nxënësve tanë vlejnë si të dobët në matematikë.”
Vlen të theksohet, se sipas mediave gjermane, nxënësit me origjinë të huaj kanë marrë shumë më pak pikë sesa gjermanët. Për më shumë mund të ndiqni rezultatin në faqen zyrtare të testuesve nces.ed.gov.
Epilog
Tash mbetet që secili prej nesh të pyet se nga vijnë këto rezultate të dobta për nxënësit tanë, por pse jo, përpara se ti përgjigjemi kësaj pyetje, është mirë që edhe të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë më tepër për të përmirësuar vendodhjen në ranglistë. Derisa nuk është vonë…/Foldrejt.com