Bashkimi Evropian (BE) dhe Mbretëria e Bashkuar kanë zhvilluar bisedime të reja mbi Protokollin e Irlandës së Veriut, pas takimit të tyre të fundit më 9 janar.
“Dy palët diskutuan gamën e sfidave ekzistuese gjatë dy viteve të fundit dhe nevojën për të gjetur një zgjidhje së bashku për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse shqetësimet reale të të gjitha komuniteteve në Irlandën e Veriut dhe për të mbrojtur si vendin e Irlandës së Veriut në tregun e brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe integritetin e ‘Tregut të vetëm’ të BE-së”, thanë të dyja palët në një deklaratë të përbashkët, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Kjo vjen pas takimit midis sekretarit të jashtëm britanik, James Cleverly dhe zv/presidentit të Komisionit Evropian, Maros Sefcovic. Sekretari i Irlandës së Veriut, Chris Heaton-Harris, gjithashtu u bashkua në takim përmes video-konferencës.
Gjatë bisedimeve, ata ranë dakord të vazhdojnë punën “në një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese” për zgjidhjet e mundshme, si dhe për të pasur kujdes në interesat legjitime të njëra-tjetrës.
Protokolli i Irlandës së Veriut
Protokolli i Irlandës së Veriut kërkon kontrolle kufitare për çdo produkt shtazor apo bimor, përfshirë mishin e ngrirë dhe produktet e mishit të përpunuara përpara transportit të tyre në Irlandën e Veriut, që është në përputhje me rregullat dhe rregulloret e BE-së.
Protokolli krijon ‘de facto’ kufi tregtar në Detin Irlandez midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar u largua nga blloku evropian më 31 janar të vitit 2020 si rezultat i një referendumi të vitit 2016 që i dha fund anëtarësimit mbi 40-vjeçar të vendit në BE.
Marrëveshja e nënshkruar nga palët përfshinte Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili shmang një kufi me kontrolle doganore midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Ky protokoll ka qenë një pikë e mosmarrëveshjeve mes palëve./FolDrejt/