Në trekëndëshin kufitar Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri, organizata mjedisore nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë shënuar Ditën e Brezit të Gjelbër. Ky brez është boshti kryesor i një rrjeti ekologjik ndërevropian përgjatë të cilit janë themeluar rreth 40 parqe kombëtare përfshirë edhe parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Përgjatë “Perdes së Hekurt”, e cila ndau kontinentin evropian në lindje dhe në perëndim për gati 40 vjet, është zhvilluar një rrjet i shquar ekologjik dhe një peisazh i gjallë. Kjo hapësirë e virgjër në gjatësi prej 12,500 kilometrash e cila njihet si Brezi i Gjelbër, shtrihet nga Deti Barents në kufirin ruso-norvegjez, përgjatë bregut të Baltikut, nëpër Evropën Qendrore dhe Ballkan e deri në Detin e Zi.
Brenda këtij brezi me biodiversitet dhe trashëgimi kulturore janë përfshirë edhe Bjeshkët e Nemuna , me ç’rast sivjet organizata mjedisore nga të tre shtetet shënuan Diten e Brezit të Gjelbërt në pikën kufitare Kosovë-Mal i Zi dhe Shqipëri.
Kufijtë ndajnë-Natyra bashkon”-është motoja e “Iniciativës Evropiane të Brezit të Gjelbërt” , e themeluar në vitin 2003, e cila për të shënuar Ditën e Brezit të Gjelbër sivjet zgjodhi parkun Bjeshkët e Nemura i cili shtrihet përgjatë këtij brezi.
Fatos Lajçi, drejtor ekzekutiv në Era Group nga Kosova, organizatore e kësaj ngjarjeje në pikën ku bashkohën të tre shtetet tha për RTK-në se: “Ky është një organizim në nivel evropian i cili ka për qëllim promovimin e këtyre hapësirave të Bjeshkëve të Nemuna dhe ruajtjen e tyre nga të tre shtetet. Këto hapësira i bën të veçanta panorama e cila vazhdon e pandashme edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi, prandaj si në aspektin e natyrës dhe të biosiversitetit mbësin të pandashme”, tha ai.
Kurse Ellen Frank-Lajçi përrgjëgjese programi në ERA Group thotë se “kjo ditë është tejet e rëndësishme për faktin se para 15 këtu së bashku me kolegun Fatos Lajçi ne themeluam organizatën tonë mjedisore. Ndërsa falë punës, angazhimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë me organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Mali i Zi, ja ku jemi pas 15 vitesh duke shënuar bashkarisht me ecje dhe aktivitete këtë ditë në nivel evropian”, tha ai.
Gentian Hajdarmataj, përfaqësues i shoqatës “TOKA” nga Tropoja thotë se “ndër qëllimet kryesore të kësaj shoqate është mbrojtja e Valbonës nga ndërtimi i hidrocentraleve. Ndërsa, thirrja jonë është dëgjuar duke pasur paraysh faktin se ne kemi luftuar për 14 projekte ndërsa tashmë vetëm për katër”.
Përderisa, Enes Dreshkoviq, nga OJQ “Triton” nga Mali i Zi ka një porosi që nga ekologët e deri në krye të qeverive të të tria shteteve “që që të na marrin si model si bashkëpunojmë, si me një gjuhë të përbashkët gjejmë zgjidhje për çdo problem si dhe gjithëçka që fillojmë bashkarisht ne edhe ja dalim me sukses. Dhe, pse jo? Një ditë edhe të kenë edhe ata nje takim të përbashkët në trekufi sic jemi takuar ne sot”.
Të hënën, Fondacioni Euro Nature, si koordinatore e Brezit të gjelbër për Ballkan i ndan komunës së Pejës cmimin “Komunë-Model brenda Brezit të Gjelbër”.
“Peja është komuna e parë në Ballkan e cila do të marrë këtë çmim për faktin. Dhe kjo, për faktin se komuna e Pejës nuk ka lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në këto hapësira ndaj ne duke e çmuar këtë qëndrim edhe duam ta shpërblejmë.Sepse, Peja vërtet po lufton në mbrojtjen e natyrës”, tha për RTK-në Sandra Wiger nga Fondacionin Euronatur- koordinatore e Brezit të Gjelbër Ballkanik.
Brezi i Gjelbër Evropian i cili lidh 24 shtete, përfshin edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ai është boshti kryesor i një rrjeti ekologjik përfshirë Bjeshkët e Nemuna, i cili është model i bashkepunimit ndërkufitar dhe i ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Evropë.