Vendet e BE-së planifikojnë t’i dërgojnë Ukrainës ndihma ushtarake në vlerë të paktën 21 miliardë euro këtë vit, ndërsa në dy vitet e para kjo ndihmë arriti në 28 miliardë euro, tha sot kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Në një konferencë për shtyp, pas një takimi jozyrtar të ministrave të mbrojtjes në Bruksel, Borrell tha se BE pret të arrijë 52 për qind të qëllimit të saj për të dërguar një milion granata në Ukrainë deri në mars të këtij viti.
Ai shtoi se kapaciteti për prodhimin e predhave të artilerisë në Evropë deri në fund të vitit do të arrijë në 1.4 milionë në vit, ndërsa tani është gati një milion.