Inflacioni i lartë dhe ngritja e çmimeve të produkteve po vijon t’i rëndojë xhepat e qytetarëve. Për këtë është pyetur Kryeministri Albin Kurti, se çfarë është duke bërë për ta ndryshuar këtë gjendje, shkruan Fol Drejt.
Në një intervistë të dhënë për emisionin Rubikon, Kryeministri Kurti ka thënë se si qeveri, ata janë duke bërë shumë më shumë, se sa ulja e menjëhershme e çmimeve.
“Ju folët për çmimet e ngritura, po ta kishim ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatë Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta!” – ka thënë ai, duke ua hedhur fajin edhe zvarritjeve të disa ligjeve.
Sipas kryeministrit shumë reforma kanë ngelur në tryezën e Gjykatës Kushtetuese.
Gazetari Adriatik Kelmendi ia ka kujtuar se dikur, si opozitar, ai përmendte heqjen e TVSh (Taksa mbi Vlerën e Shtuar), si mekanizëm për t’i zbutur çmimet e produkteve bazë.
“Ne nuk po e provojmë këtë, sepse ne po bëjmë shumëçka tjetër, që është edhe më e madhe. Të gjitha politikat sociale, nuk i bënin qeveritë e mëhershme. Pra qeveritë e mëhershme, çfarë bënin, kryesisht kanë pasur politika neoliberale, dhe në at kohë kur unë nuk kisha kurrfarë shprese për politika sociale, mund të japësh edhe ide të tilla.
Sot kur mbështesim pensionistët, studentët, lehonat, punëtorët në sektorin publik, në sektorin privat, nuk ka nevojë me e heq TVSh-në, sepse dihet që vetëm zvogëlon buxhetin dhe nuk krijon mirëqenie sociale, siç ke synuar.
Domethënë sot, unë po them se po bëjmë diçka tjetër, që është edhe më e madhe, edhe më e mirë. Unë nuk po du të ia vë fajin opozitës për çmimet, por po dua të them se sa për Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje, që jemi tash në pushtet, ne do t’i kishim çmimet më të ulëta, për shkak se do t’i kishim tavanet” – ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se shpreson që Gjykata Kushtetuese të ketë një përgjigje pozitive dhe ligji t’i jap efektet e veta.
Ua kujtojmë që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1%.
Dhe kjo rritje ka goditur një pjesë të madhe të artikujve bazë, duke e vështirësuar edhe më tepër jetën e qytetarëve./FolDrejt/