Cikël poezish nga autori Fatmir Muja, të botuara fillimisht në revistën letrare “Uji”
FJALË TË PAZGJEDHURA
Nëse ke zgjedhur zemrën e duhur
S’duhet t’i zgjedhësh fjalët për të folur me të
Ata që t’i ndiejnë tingujt në akustikën e shpirtit
Të ndiejnë edhe atëherë kur s’nxjerr asnjë zë
Të gjitha fjalët janë të duhura
Madje edhe ato për të cilat qenia pendohet
Por zemra dashuronjëse është oqean
Nga guralecët nuk mund të trazohet.
DUHET, POR NUK THUHET
Melhem është Ashku Yt
që çdo ikje e bën kthim
çdo ndarje, takim
çdo largim, afërsi
çdo tingull, simfoni
çdo plagë, përndritje
çdo thyerje, ngritje
çdo gjynah, shpirtëri
çdo sprovë, fuqi
Gjë tjetër a duhet?
Po, por s’mund të thuhet.
PO S’E URREVE VETEN, AS TJETRI S’MUND TË URRYHET
Aty ku nuk ka rrugë, ti je vetë rrugëdalja
Para se të bëhej gjynahu, ka ekzistuar Falja
Uji ka ekzisituar, para se të shfaqej etja
Për shkak të Dashurisë, gjallon edhe urrejtja
Aq sa është e gjallë zemra, po aq edhe do të thyhet
Po s’e urreve veten, as tjetri s’mund të urryhet
Nëse me zemrën tënde në ujdi nuk ke rënë
Nuk të bëhet ilaç anjë fjalë që kam thënë.
RRUGËT E DASHURONJËSVE
Megjithëse hëna s’ka dritë
nga ashku merr dritën prej diellit
Bëhet kandil për tokën,
edhe pse i përket qiellit
Nga drita që ajo përçon
rrugët e dashuronjësve ndriçohen
Ata që dorëzohen nuk të duan,
ata që të duan nuk dorëzohen.
NË DASHURI KTHIM ËSHTË ÇDO IKJE
Ku ka ecje, ka dhe ngecje
Se vetë ecja mundëson ngecjen
Por një zemër që dashuron
S’e vë pikën, e vë presjen
E gjithë rruga e dashuronjësit
Nuk ka ndonjë vendmbërritje
Zemra është gjithnjë ku duhet
Në dashuri kthim është çdo ikje.
KU KA DHEMBJE, KA DHE ASHK
Ku ka mall, zemra është gjallë
Ku ka dhembje, ka dhe ashk
Trupat kërkojnë njëri-tjetrin
Nëse shpirtrat jetojnë bashkë
Ajo Frymë që ngjalli baltën
Dhe e bëri mall të ndiejë
Do t’i takojë në Tokë trupat
Siç takoi shpirtrat në Qiej.
TI JE NJË, POR NJËSHI S’JE
Nuk jetojmë brenda netëve,
Netët janë brenda nesh
Një fshehtësi që ruhet tepër
Priret shpejt të dalë në shesh
Aman merri gjërat shtruar
Ti je një, por Njëshi s’je
Je Fshehtësia e Fshehtësive
Edhe pse fshehtësi nuk ke.
PO S’E NDIEVE, MË MIRË HESHT
Kush thotë shumë duke thënë pak
Të ka afër kur është larg
Në çdo çast dashurohet
Është i rrallë, por shpesh kujtohet
Është me ty kur s’je me të
Kur copëtohet, mbetet Një
Këtu s’ka gjë për t’u marr vesh
Po s’e ndieve, më mirë hesht.
DIELLI I GJOKSIT
Në gjoksin tim është një Diell
që akujt e qenies shkrin
Çdo gjeth i rënë nga Pema e Jetës,
dëshmon se e bukur është çdo stinë
Një zemër e durueshme është si rrënja
që trungun e bën të vallëzojë me erën
Veç kush ka mundur të qeshë me dimrat
në shpirt do ta gjejë gjithnjë pranverën
SHFAQJE
Agimet s’janë fundet e netëve
as muzgjet funde të ditëve s’janë
Hënën e të gjitha netëve shohin
Ata që Diellin në zemër kanë
Njeriu nuk jeton në botë
Në njeriun jeton gjithë bota
Në këtë Shfaqje përmalluese
S’humbet gjë se s’është jotja
Se për qenien është kuruese
Mu ajo që të ka thyer
S’domethënë që s’është ilaç
Veç pse shija s’të ka pëlqyer.
NJOHJE
Dielli nuk nis me lindjen, s’mbaron me perëndimin
Si ashku që s’mbaron me ndarjen, as nuk nis me takimin
Ilaçi nuk lind me dhembjen, as nuk vdes me shërimin
M’i jep dhembjet e tua, ta ndiej më thellë gëzimin
Mos thuaj që po m’i dhe plagët, i lumnuem s’mund të jem
Dashuronjësi lumturohet, kur i dashuri i tij dhembje s’ndien
Ne s’jemi dy gjysma që bëjmë një të plotë
Jemi dy të plota, por gjysmë jetojmë në botë
Nuk jemi të cekët që të bëhemi të thellë
Para se të shiheshim në Tokë, jemi njohur në Qiell.
KUSH NUK DO, S’MUND TË NDIEJË MALL
Kur mungesë shkakton kujtesa
e nuk ke çfarë t’i bësh mallit
Vetëm ngjyrat që ke në zemër
do t’i shohësh me sytë e ballit
Kur të thërret ai që e do
Asnjë zë s’të duhet fare
Bëhesh ngjyrë në çdo pamje
Bëhesh thirrje në çdo minare
Se asgjë veç dashurisë
Nuk të bën të ndihesh gjallë
Zemra është bërë për të dashur
Kush nuk do, s’mund të ndiejë mall.
HANA
Ajo hanë e bukur
Në qiell të atij shpirti
S’do t’u shfaqej syve
Dielli po s’e ndriti
Hanë është zemra jote
Që nga dielli s’ikën
Do të shfaqet natën
Të dëshmojë për ditën
Dielli kurrë nuk lodhet
Në këtë shfaqje ashku
Por ç’na duhet drita
Kur s’dritërojmë së bashku?
VDEKJA E TRUPIT
Me vdekjen e trupit,
sëmundjet trupore vdesin,
Po na mbetën sëmundjet shpirtërore,
nga Shpirti çfarë mund të presim?!
MALL
Kur shpalos mallin për ty,
Qiejt e zemres më copëtohen
Dashuria i mban bashkë
Edhe ata që s’takohen
Disa plaken pa jetuar
Disa ikin, por jetojnë
Vetëm majat më të larta
Përgjithmonë dimrat durojnë
Kur vetëdija mbetet gjallë
Mallëngjehesh, por pa vuajtur
Sa më shumë ta njohësh veten
Aq më shumë ke për ta ruajtur
Ti në botë je Frymë Hyjnore
Mos e hidh veten në hon
Në këtë jetë mund t’i hedhësh
Vetëm gjërat që s’i vlerëson./FolDrejt/