Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur shqetësim lidhur me heshtjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas deklaratave nga Beogradi se 9 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Çitaku, me anë të një postimi në facebook, ka thënë se gjithmonë duhet marrë me rezervë deklaratat nga Beogradi, meqë sipas saj, ata vazhdimisht synojnë të krijojnë mjegull dhe huti në raport me Kosovën
“Nga përvoja, gjithmonë duhet marrë me rezervë deklaratat nga Beogradi. Në raport me Kosovën ata vazhdimisht synojnë të krijojnë mjegull dhe huti. Çka thonë eksponentët në Beograd nuk e trajtoj kurrë si të mirëqenë. E di çka kanë thanë për mua dhjetëra herë. Vec alien nuk më patën bërë”, ka shkruar Çitaku.
Mirëpo, e njëjta ka kritikuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se e shqetëson heshtja e kësaj Ministrie dhe se duhet dhënë përgjigje.
“Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht Unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë”, ka shtuar Çitaku./FolDrejt/