Kandidati i AAK-së për Prishtinën, Ramush Haradinaj synon që fillimisht çdo nxënës në Prishtinë, nga klasa e gjashtë fillore e më lartë, të pajiset me laptop, për ta bërë mësimin më lehtë, më ilustrues dhe më atraktiv.
Ndërkaq, në një fazë më të vonshme, plani është që edhe nxënësit e shkollës fillore të ulët, të pajisen me laptopë.
Në kuadër të programit qeverisës, Haradinaj do ta bëj ristrukturimin e shkollave në pajtim me komunitetin, e gjitha kjo në funksion të rritjes së cilësisë, për ta gjetur mesin mes klasave të mbingarkuara dhe atyre të zbrazura.
Do të organizohen trajnimet për mësimdhënësit, dhe Haradinaj do të merret me një temë që e shqetëson arsimin në Kosovë, atë për depolitizimin e strukturave menaxhuese në shkolla.
Në programin e Haradinajt për arsimin përfshihet gjithashtu sigurimi i infrastrukturës teknike-teknologjike adekuate nëpër shkolla, zhvillimi dhe pajisja e laboratorëve të shkollave, për lëndët dhe fushat përkatese për demonstrimet praktike, përmirësimi i strukturës funksionale të rrethinës urbane të shkollave (qasjet, lëvizjet, parkingjet dhe funksionet tjera përreth), përkrahja e shkollave profesionale, në funksion të kërkesave të biznesit dhe nderlidhja mes tyre, mësimi gjithëditor në shkolla, duke siguruar kushtet optimale për mësim dhe aktivitete tjera gjithëpërfshirëse, ndarja e bursave dhe çmimeve për të arriturat e nxënësve dhe studentëve të dalluar në të gjitha kategoritë, organizimi i kurseve dhe trajnimeve shtesë falas për talentet e dalluar në fusha të ndryshme, eliminimi i segregacionit social dhe pabarazisë në edukim duke ruajtuar diverzitetin në proces, stimulimi i angazhimit të nxënësve edhe në aktivitete të organizuara jashtë-shkollore.Raporton gazetablic.com përcjell Foldrejt.com