Liderët botërorë, politikëbërësit dhe aktivistët janë mbledhur në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës.
Krerët e shteteve dhe liderët e biznesit do të fokusohen në luftën në Ukrainë dhe paqëndrueshmërinë ekonomike mes ndryshimeve klimatike, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Forumi Ekonomik Botëror mbahet me temën “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar” dhe do të zgjasë deri më 20 janar.
“Kaq shumë janë në lojë saqë me të vërtetë duhet të gjejmë zgjidhje për luftërat dhe konfliktet. Gjithashtu duhet të sigurohemi që të mos hyjmë në recesion dhe do të kemi dhjetë vjet rritje të ulët siç kishim në vitet 1970”, tha Borge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror.
Pritet pjesëmarrja e 56 ministrave të financave, 19 krerëve të bankave qendrore, 30 ministrave të tregtisë dhe 35 ministrave të punëve të jashtme.
Forumi mbledh së bashku më shumë se 2.700 zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme nga 130 vende, duke përfshirë 50 krerë shtetesh dhe qeverish, ndërsa krizat e shumta thellojnë ndarjet dhe fragmentojnë peizazhin gjeopolitik.
Këtë vit do të ketë gjithashtu pjesëmarrje më të madhe të biznesit në Davos, me më shumë se 1.500 drejtues të cilët janë regjistruar në 700 organizata.
Masa të gjera sigurie janë marrë në zonën ku mbahet WEF dhe në hyrje të qytetit të Davosit.
Pikat e kontrollit të ngritura nga policia zvicerane në hyrje të Davos çuan në turma të mëdha dhe kolona të gjata automjetesh.
Davos është një qytet zviceran në Alpe me një popullsi prej rreth 11 mijë banorë. Vendi fillimisht famën e fitoi më shumë se njëqind vjet më parë në romanin “Mali Magjik” të Thomas Mann-it, por për pesë dekada ai njihet si vendtakimi i elitës ekonomike dhe politike botërore.
Forumi Ekonomik Botëror u themelua pesë dekada më parë nga Klaus Schwab. Bazuar në projektin e Schwab, Davos u bë qendra moderne e botës kapitaliste./FolDrejt/