Prokurorët bullgarë deklaruan se shkatërruan një skemë mashtrimi që drejtohej nga zyrtarët shtetërorë, të cilët u kishin mundësuar mijëra të huajve dhënien e pasaportave bullgare kundrejt një shume të caktuar parash në këmbim.
Por ajo që është zbuluar tani nga media pan-europiane euractive.de, pjesë e skandalit të shitjes së nënshtetësisë bullgare janë edhe zv.kryeministri Krassimir Karakaçanov, ish ministrja e drejtësisë, Ekaterina Zaharieva (tani ministre e jashtme) si dhe deputeti europian Andrej Kovaçev (partia qeveritare GERB), informon foldrejt.com.
Personat e lartëpërmendur dhe një sërë figurash tjera shtetërore janë të përfshirë në shitjen ilegale të pasaportave bullgare – kundrejt banorëve të huaj.
Sipas skemës së mashtrimit thuhet se kanë përfituar pasaportë bullgare, shtetas nga Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia, vende të cilat kanë pakica etnike bullgare. Pasi Bullgaria u anëtarësua në BE në vitin 2007, shënoi rritje të aplikimeve për pasaporta në shtetasit e këtyre vendeve me pakicë etnike bullgare. Ndërsa skema e mashtrimit u mundësonte edhe shtetasve të huaj kundrejt një pagese prej 5,000 eurosh marrjen e një certifikate të rreme, ku tregohej origjina bullgare. Mijëra shtetas të huaj thuhet se kanë përfituar nga kjo skemë dhe vetëm në një javë janë lëshuar mbi 30 certifikata false.
Çështja po mer kaq shumë vëmendje pasi hetimet po zhvillohen nga Komisioni Europian.