Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku po diskutohet për çështjen e tërheqjes së 30% të trustit, deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë e Kosovës se kanë ndarë 100 milionë euro për pjesën veriore të Kosovës, ndërkaq nuk i lejojnë qytetarët t’i tërheqin mjetet e veta.
“Po kjo qeveri, me marrëveshje të parealizuar ndërkombëtare dhe vendore, me neglizhencën e saj, vetëm gjatë vitit 2022 ka arritë me i nda 100 milionë euro jashtëligjshëm dhe jashtë çdo parimi për pjesën veri dhe sot nuk ka mjete t’i ndajë ato të hyrat, që janë të qytetarëve.”
“Sot mjetet e qytetarëve ua ndalon t’i tërheqin a në anën tjetër 100 milionë euro i ka dërgu në pjesën veri”, ka thënë Shala duke e cilësuar këtë si amoralitet politik, social dhe pasinqeritet të Qeverisë.
Sipas Shalës, në këto rrethana politike e ekonomike, nuk ka mundësi tjetër përpos mbështetjes së kësaj nisme për tërheqje të Trustit, ngase kjo “nuk e dëmton buxhetin e shtetit, nuk e destabilizon ekonominë e vendit”, ka vlerësuar Shala./FolDrejt/