Lidhur me çështjen e mosprocedimit të pagave për mësimdhënësit ka reaguar edhe deputeti Agim Veliu.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në facebook, e ka konsideruar qeverinë aktuale si qeveri të ndëshkimit, transmeton Fol Drejt.
Tutje Veliu ka thënë se vendimi i qeverisë për mosprocedim të pagave i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.
“Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.”, ka shtuar Veliu.
Ndërkohë, ka kërkuar që qeverisë t’i bëhet presion nga opozita e nga qytetarët, në mënyrë që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë./FolDrejt/
Postimi i plotë:
“Qeveria e shpresës” çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit.
Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.
Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.
Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.
Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.
Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë.