Në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë deri më tani janë vaksinuar rreth 93 profesionistë shëndetësorë, ndërsa në total 103 persona janë vaksinuar në këtë qendër me vaksinën Astra Zeneca.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi ka deklaruar se kur po vazhdon imunizimi i profesionistëve shëndetësorë të kujdesit primar vetëm gjatë ditës së sotme është paraparë të vaksinohen në sallën 1 Tetori rreth 700 persona.
Ai tha se këto lista i kanë pranuar nga Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Qendrat e Mjekësive Familjare.
Bardhi po ashtu tha se deri në këto momente në këtë qendër të vaksinimit gjithçka ka shkuar sipas planit pa asnjë parregullsi.
Ai tha se ekipet e imunizimit punojnë me dy turne duke nisur me orarin nga 08:00 deri në 19:30.
Koordinatori i qendrës 1 Tetori në Prishtinë, Niman Bardhi po ashtu tha se nga të gjithë personat që kanë marr dozën e parë të vaksinës AstraZeneca asnjëri nuk ka pasur ndonjë reaksion shqetësues.
Krahas profesionistëve shëndetësor me 24 mijë vaksinat e dhuruara nga COVAX do të vaksinohen edhe personat e moshës mbi 80 vjeç.