Didier Deschamps ka pranuar të qëndrojë në këtë rol edhe për tre vjet e gjysmë, duke i dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka vazhduar kontratën e tij deri në qershor të vitit 2026, ka bërë të ditur Federata Franceze e Futbollit (FFF).
Deschamps mori detyrën e trajnerit të Les Bleus në korrik 2012 dhe udhëhoqi Francën drejt titullit të Kupës së Botës në 2018, duke mundur Kroacinë në finale.
Në Kupën e Botës së fundit në Katar, Deschamps udhëhoqi skuadrën në finale kundër Argjentinës, duke humbur 4-2 në penallti pasi ndeshja përfundoi në 3-3.
“Në Katar, pothuajse arritëm atë që donim të bënim, fitimin e Kupës së Botës. Kishte shumë gjëra pozitive për të marrë”, tha Deschamps të shtunën.
Lojtarët e Francës ishin të dëshpëruar pasi humbën një finale kaq të tensionuar, por u prekën nga pritja që iu bë kur arritën në shtëpi.
“Duke u kthyer në Francë, kuptova se sa shumë emocione dhe pasion mund të gjenerojë një Kupë Botërore”, tha Deschamps. “Kemi pasur shumë mbështetje. Mund të mbështeteni tek unë për ta mbajtur Francën në nivelin më të lartë”.
Presidenti i FFF-së, Noel Le Graet thuhet se donte t’i jepte Deschamps vetëm një zgjatje dy-vjeçare deri në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, por trajneri 54-vjeçar kishte këmbëngulur të qëndronte në krye deri në Botërorin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Në 139 ndeshje nën drejtimin e Deschamps, Franca ka fituar 89, ka barazuar 28 dhe ka humbur vetëm 22, duke shënuar 279 gola dhe duke pranuar 119.
Deschamps do të jetë trajneri më jetëgjatë i Francës në histori, përpara Michel Hidalgo, i cili e mbajti këtë detyrë nga marsi 1976 deri në qershor 1984.
Franca do të rikthehet në aksion më 24 mars kur do të përballet me Holandën në Stade de France në fillim të kualifikimeve për Euro 2024. Fitimi i kësaj gare, pas zhgënjimit në tokën vendase në vitin 2016, është synimi i tij i radhës. /FolDrejt/