Nga Korab Blakaj
Na duhet të përballojmë në situatë komplekse dhe shumë të vështirë presionin e miqve dhe armiqve për të mbrojtur shtetin, pasurinë dhe jetën tonë.
Çështja e Ballkanit është historike, një histori e përsëritur, e dhimbshme dhe e përgjakshme. Për rrjedhojë me pasoja për disa popuj në kurriz të të cilëve janë krijuar shtetet artificiale dhe janë rrëzuar e ndarë popuj në 5 apo 6 shtete. Pa rregulluar këto raporte historike që trazojnë jetën ballkanike sot, po e them që në fillim, as BE apo dhe SHBA, nëse nuk do të jenë konkret edhe kundër penetrimit rus në rajon, as të mos u shkojë mendja për stabilitet, siguri dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
Për Kosovën tonë sot çështja shtrohet: të rrosh apo të mos rrosh!
Kosova sot nuk ka nevojë të promovojë vlerat e demokracisë, por ka nevojë përballë rrezikut të promovojë bashkimin politiko-shoqëror dhe unitetin kombëtar në të gjitha lëvizjet politike që bëhen, për të qenë në një qëndrim përballë Serbisë.
Çdokush duhet ta ketë të qartë se, Zajednica nuk mund të kalojë pa u njohur dhe pa u shpallur Kosova sovrane.
Zajednica ka prapavijë të errët dhe nëse do të pranohet, ajo në të ardhmen do të kërkohen lëshime të tjera hap pas hapi, deri në “federalizimin” e Kosovës. Ky do të jetë një akt vetëvrasës kombëtar.
Politika në Kosovë me këto lëvizje që po bën diplomacia amerikane me misionarin e saj (Eskobar), ku po i kërkohet me insistim kalimi i Zajednicës, duhet të bëjë lëvizjen e para të riskut politik, duke kërkuar të bëjë provën e njohjes nga Serbia në këmbim të saj.
Nëse ndodh kështu, në kushte të tjera, Zajednica zbret nga një problem politik në një problem shoqatash kulturore, ku të njihet etniteti dhe administrimi kulturor, ekonomik e tradicional i tri komunave serbe në veri.
Në njohje reciproke nuk mund të bëjë Serbia si të dojë (siç bën sot), por në marrëdhënie dypalëshe diplomatike e ka kufirin tek thana.
Pra kushti është prova, njohja në të njëjtën kohë, këmbimi i kushteve në të njëjtën kohë. Nëse Serbia nuk e pranon këtë kusht, as Kosova nuk ka pse të kalojë Zajednicën e tri komunave në Parlament.
Qëndrimi politik duhet të jetë i qartë, “ma jep që ta jap, nuk ma jep, nuk ta jap!” Kjo ua zë grykën edhe emisarëve të korruptuar, që ende nuk dihet, përfaqësojnë politikën e DASH dhe të BE, apo janë element të korruptuar të karrierës diplomatike në kurriz të popujve!
Në Kosovë sot ka një problem delikat, për të cilin do të dëshiroja ta ndjenin shumica e njerëzve që mendojnë pozitivisht në zgjidhjen e problemit. Ajo është ndarja e njerëzve në falanga politike jashtë interesave të Kosovës. Ndarja dhe klanizimi ushqehet nga problemet që hidhen në opinion për të krijuar tymnajën dhe për të mos u marrë me problemin tonë kryesor.
Copëtimi i opinionit është rrezik kombëtar. Kosova ka nevojë për një zë të përbashkët politik dhe qytetar.
Në këtë çështje do të jem i drejtpërdrejtë edhe me rolin, përgjegjësinë dhe misionin e Kryeministrit Albin Kurti, i cili ka bërë gabime gati fatale kur ia ka besuar Ministrinë e Jashtme një zonje që si ka sjellë asgjë të re diplomacisë sonë.
Këtë detyrë mund ta bënte shumë më mirë Enver Hoxhaj i PDK-që. Dhe jo vetëm kaq, por në këtë kabinet mund të kishte dy apo tre ministra djem të mirë nga PDK-ja për të forcuar më shumë bazën mbështetëse popullore për interesa të Kosovës.
Albin Kurti nuk duhet të pranonte ministra të imponuar nga jashtë, edhe kur bëhet fjalë për ndonjë fuqi të madhe. Koha e ka vërtetuar se ky ka qenë një gabim trashanik.
Albin Kurti ka humbur shumë terren në politikën e brendshme në Kosovë. A ka ai mundësinë ta rikuperojë apo ta sfumojë këtë humbje?
Po përgjigjem vetë edhe për këtë pyetje: po ka mundësi përmirësimi, sepse sot për sot e ka kursin navigativ keq, dhe busulla politike nuk po i punon mirë. Ai po shfaqet një produkt i influencës psikike dhe psikologjike që ekziston në opinionin intelektual të Kosovës.
Riorientimi duhet të jetë bashkimi i forcave popullore për mbrojtjen e Kosovës në këtë situatë. Kjo duhet të bëhet me kurajë dhe mbështetje edhe përballë faktorit ndërkombëtar, të cilët vazhdojnë të bëjnë tregti me Kosovën. Tymnajat politike që hidhen në opinion, janë mbulimi i situatës së vërtetë.
Mbështetja për Kosovën sot duhet të jetë orientimi mbarëkombëtar dhe i palëkundur, duke e përcaktuar saktë: Armiku ynë kryesor në këtë situatë është Serbia dhe “kolona e pestë e saj” brenda nesh. Armiku i dytë i Kosovës është Evropa e Bashkuar, e cila po luan me Kosovën në mënyrë raciale. Kosova sot ka mbetur në lojën e madhe ndërmjet SHBA, Rusisë dhe BE.
Për t’i shpëtuar situatës ka vetëm një rrugëzgjidhje: të jemi të gjithë të bashkuar që askush nga emisarët ndërkombëtar të mos gjejë terren mbështetës brenda opinionit politik dhe shoqëror në Kosovë. Kosova është shqiptare.
Për këtë Albin Kurti duhet ta shtrojë çështjen e Zajednicës në Parlament dhe jo vetëm kaq, por në kushte të caktuara t’i drejtohet edhe referendumit popullor. Nëse populli nuk do të kalojë Zajednica, atëherë kjo nuk mund të bëhet me imponim politik apo dhe me kërcënim ushtarak.
Nëse ky presion do të vazhdojë akoma kështu, atëherë kjo do të thotë që, këta nuk e kanë çliruar Kosovën në vitin 1999, por e kanë pushtuar atë për ta përdorur plaçkë tregtie gjeostrategjike. Acarimi i emisarëve përballë vullnetit popullor ka brenda një problem të rrezikshëm, daljen e situatës nga kontrolli. Më keq për ta! Këtë nuk e them unë, por e ka vërtetuar historia.
Nëse armiku bën një herë “bam”, populli në sulm mund të bëjë shumë herë “bam, bam, bam”. Qeni kur të sulmon kërkon t’i tregosh drurin që të mos lehë më dhe të ikë më bishtin në shalë. Të gjithë bashkë dhe në sulm për ta mbrojtur Kosovën. Kjo kohën e ka sot dhe jo nesër.
Ky paralajmërim duhet të jetë për të gjithë emisarët që përpiqen t’i diktojnë sot Kosovës, por njoftimi duhet të shkojë në nivelin më të lartë shtetëror deri në kreun e Departamentit të Shtetit Amerikan.
Emisarët e huaj nuk po vijnë për të na mbrojtur si shtet dhe popull që pësuam gjenocid në shpinën tonë. Ata vijnë për të na imponuar kushtet e Serbisë. Kjo po duket në dritë të diellit. Për këtë duhet të ketë dijeni edhe DASH direkt nga niveli më i lartë i politikës në Prishtinë.
Pse nuk e bëjmë këtë, nga kush trembet Albin Kurti, Donika Gërvalla dhe Vjosa Osmani? A mund të denoncohet Eskobari si individ i korruptuar, apo si emisar i DASH? Në këtë rast, qëndrimi i politikës shqiptare nuk ka ndryshim.
Të bëjmë me dije që, si në rastin Grenell dhe në rastin Eskobar, opinion shqiptar nuk e dëshiron misionin e tij, duke e bërë atë leckë në opinion dhe rrjete.
A e di këtë DASH?
Këtu nuk duhet të flas e para goja e Kryeministrit, por opinioni, mediat, uniteti politik, interesat e Kosovës. Albin Kurti duhet të jetë i fundit në përballjen me Eskobar, kur ta këtë siguruar këtë mbështetje politike dhe popullore.
Nuk është e lehtë të drejtosh politikën pa dije, pa përvojë, pa histori pas vetes. Nëse ke histori suksesi prapa, kjo tregon se, “e ke lyer bukë tënde me gjalp” dhe atëherë ingranazhet e shtetit dhe të pushtetit punojnë normalisht. Nëse nuk është kjo histori për një lider, atëherë ai do të merret vetëm me politikat e ditës si çdo qytetar tjetër i thjeshtë.
KB
Vjenë, 22. 01. 2023