Në një akt simbolik dhe humanitar, në Ditën e Çlirimit të Gjakovës dhe Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, drejtori i spitalit të Gjakovës së bashku me personelin shëndetësor vendosën të dhurojnë gjak, duke treguar solidaritet dhe përkushtim ndaj shëndetit të komunitetit.
Kështu në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”, stafi i anestezistëve u mblodhën për të marrë pjesë në këtë nismë fisnike. Duke u ulur në karriget e dhurimit të gjakut, ata dhanë një shembull të shkëlqyer të përkushtimit të tyre ndaj shëndetit publik dhe shpëtimit të jetëve.
Dhënia e gjakut është një akt që bëhet shkak për shpëtimin e jetëve. Në një ditë kaq të rëndësishme për qytetin e Gjakovës, u dha mesazh i fortë solidariteti dhe inkurajimi për qytetarët.
Mesazhi që u dha është se dhurimi i gjakut është një akt që kërkon pak kohë, por ka një ndikim të madh në jetën e pacientëve në nevojë.
Ky akt i solidaritetit dhe përkushtimit në Ditën e Çlirimit të Gjakovës dhe Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe angazhimit qytetar për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. /FolDrejt/