Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, po përballet për herë të dytë me drejtësinë pasi prokurorët federalë kanë ngritur akuza kundër tij.
Aktakuza me 9 pika thotë se ai planifikoi të shmangte taksat federale nga vitet 2016-2019 për vlerën 1.4 milion dollarë.
3 veprat penale dhe 6 kundërvajtjet penale përfshijnë mosdeklarimin dhe pagesën e taksave, deklarimin e rremë tatimor dhe shmangien e vlerësimit. Hunter Biden u padit në shtator për armëmbajtje pa leje në Delaware, rast për të cilin u shpall edhe i pafajshëm.
Në një aktakuzë prej 56 faqesh të ngritur në Kaliforni, prokurorët pretendojnë se ai i shpenzoi paratë e tij për subastanca narkotike, eskorta, hotele luksoze dhe prona me qira, makina luksoze, veshje dhe sende të tjera personale.
Ata thonë se djali i presidentit individualisht ka marrë më shumë se 7 milionë dollarë në total të ardhura bruto” midis 2016 dhe 2020, por dështoi të paguajë taksat e tij nga 2016 në 2019 pavarësisht se kishte fonde për të paguar disa ose të gjitha këto taksa.
Gjithashtu në aktakuzë përmendet edhe fakti se Hunter Biden kishte të ardhura të konsiderueshme, duke përfshirë nga një kompani që ai formoi me një konglomerat biznesi kinez, kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma” dhe një marrëveshje me një biznesmen rumun të paidentifikuar.
Nëse shpallet fajtor për çështjen tatimore, Hunter Biden mund të përballet me 17 vjet burg.
Çështja e fundit penale mund të komplikojë kandidaturën për rizgjedhjen e presidentit Joe Biden në vitin 2024 mes pretendimeve nga republikanët se djali i tij përdori në mënyrë të pahijshme pozicionin e babait të tij për të fituar miliona dollarë përmes marrëveshjeve të biznesit.
Ndërkaq republikanët vazhduan me planet për të hapur një hetim për shkarkimin e Bidenit, ndërsa ligjvënësit kërkojnë prova për në marrëdhëniet e biznesit të familjes së tij.
Kryetari Mike Johnson ka deklaruar se plani është që Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për të autorizuar hetimin javën e ardhshme.