Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemdesin Dreshaj, në konferencën e thirrur nga AAK, ka folur rreth çështjes së pensioneve dhe padrejtësive me të cilat po përballen pensionistët.
Sipas Dreshajt, është e pandershme që të punosh 14 vite e 11 muaj para vitit 1999 dhe të llogaritet sikur nuk ke dhënë kontribut fare.
“Është e pandershme që të punosh 14 vite e 11 muaj para vitit 1999 dhe të llogaritet sikurse nuk ke dhënë kontribut fare. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Njëkohësisht, kërkojmë që të respektohet periudha kohore maksimalisht prej 6 muaj e shprehur në këtë vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhënë Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”, është shprehur Dreshaj në konferencën për media./FolDrejt/