Durimi është një aftësi për të përballuar vështirësitë,shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë, duke mos u ankuar apo plogështuar. Ky vyrtit moral është i lidhur ngushtë me përmbajtjen në raste te zemërimit,maturinë, duke përdorur gjakftohësinë. Gjithashtu durimi mund të kuptohet edhe aftësia e dikujt për tu marrur me diçka pa u mërzitur për ta mbaruar një punëapo për të kapërcyer një pengesë apo vështirësi. Maturia ka të bëjë me të menduarit mirë të punëve ose veprimeve. Veprimet dhe fjalët e matura zakonisht janë të peshuara mirë më parë, të cilat kanë karakteristikë pjekurinë dhe kujdesin. Në vazhdim do të paraqesim disa fjalë të urta të cilat kanë të bëjnë kryesisht me maturinë dhe durimin:
“ Buka do pjekë dhe fjala do matë” – Lumë
“ Dëgjo dy herë dhe fol një herë” – Myzeqe
“ Ka dardha bisht” – Sllovë – Dibër
“ Mos e fol fjalën e madhe” – Kosovë
“ Prej nji fjalet, tundet malet” – Veri
“ Vnoja gardhin llafeve” – Kosovë
Pavarësisht se nga burojnë këta fjalë të urta, kanë një emërues të përbashkët, maturinë dhe durimin. Durimi është si anije e cila të shpëton në rastin e vështirësive kur të kaplojnë dallgët e detit apo oqeanit. Nëse njeriu e ndërton këtë anije me një material i cili në vete përmban elemente të moralit të lartë dhe maturisë,atëherë padyshim që do të tejkalojë sprovën. Te ne shqiptarët është bërë traditë që në raste vdekjeje të shkohet për tazi, ku familjarët e të ndjerit ngushëllohen me qëllim që të bëhen sa më të durueshëm për të kaluar fatkeqësinë.
Në lidhje me durimin dhe maturinë, fëmijëve u tregohet edhe një përallë, ajo e lepurit dhe breshkës. Përalla mëposhtë ka një porosi të qartë,, ajo është që i duruari gjithmonë fiton, kurse mburraveci dhe mendjemadhi humbet.
“Lepuri dhe breshka i kishin shtëpitë pranë dhe pranë. Lepuri gjithnjë e ngacmonte breshkën për ngadalësinë e saj. E quante plakë, megjithëse ata ishin moshatarë me njëri-tjetrin. Për t’u mburrur i kërkonte të bënin një garë vrapimi. Breshka nuk i përgjigjej, por kthente rrugë. Lepuri përsëri ia priste udhën.
-Hë, zonja breshkë, si thua, a pranon të bësh një garë me mua?
-Mirë, -tha një ditë breshka.
Lepuri u çudit nga fjalët e breshkës, e cila kishte pranuar të bënte një garë me lepurin, që e quante veten “më të shpejtin e kafshëve”.
Lajmi se breshka dhe lepuri do të bënin një garë vrapimi me njëri-tjetrin ishte përhapur në të gjithë qytezën e pyllit. Edhe kafshët e tjera ishin çuditur me vendimin e breshkës. çasti i garës erdhi. Breshka dhe lepuri u vendosën në vijë si atletët dhe me t’u dhënë sinjali u nisën. Lepuri vrapoi me të katra dhe u bë erë, kurse breshka lëvizte me hapa të ngadalta. Lepuri duke vrapuar e kthente kokën prapa. Breshka zvogëlohej dhe zvogëlohej në sytë e tij, derisa erdhi një çast që nuk u pa më. Breshka kishte mbetur shumë prapa. Ishte vapë dhe nën hijen e ca pemëve lepuri qëndroi për të parë breshkën. Ajo nuk dukej gjëkundi. Kishte mbetur prapa, prandaj lepuri mendoi të merrte një sy gjumë nën hijen e pemëve derisa të afrohej breshka. Kur breshka të afrohej, ai do të vraponte përsëri dhe do ta fitonte garën. Nën pemë frynte një erë e freskët dhe lepurin e mori një gjumë i thellë. Një gjumë më i thellë nuk bëhej.Ngadalë ngadalë, breshka arriti tek hija e drurëve. Ajo dëgjoi një gërihmë.Hodhi shikimin dhe pa lepurin që po gërhiste. Kushedi se çfarë ëndërrash shihte. Nuk qëndroi por vazhdoi në udhën e saj me të njëjtin hap.
Ec dhe ec… Breshka po i afrohej fundit të garës.
Dikur lepuri u zgjua nga gjumi i thellë dhe hodhi sytë prapa për të parë breshkën. Ajo nuk dukej poshtë në udhë. Lepuri filloi të vraponte i sigurtë se breshka kishte mbetur prapa, ose e kishte lënë garën. Në një çast ngriti kokën dhe shumë përpara tij, atje ku gara përfundonte, pa breshkën. U çudit sa më s’bëhet dhe vrapoi me të gjithë fuqinë që ta arrinte. Ishte vonë, sepse breshka e kishte fituar garën. Kafshët e pyllit prisnin ardhjen e lepurit, por atij nuk i bënin më këmbët të vraponte. Mallkonte veten për gjumin e rëndë që e kishte zënë. Që nga ajo ditë lepuri nuk do ta ngacmonte më dhe nuk do të guxonte të futej në garë me breshkën. Trembej se mos përsëri do ta rrëmbente gjumi i rëndë.