Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer sot përgjigje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar që PDK të delegojë një përfaqësues të saj në procesin e dialogut që do të zhvillohet më 4 shtator në Washington dhe më 7 shtator në Bruksel.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do ta ushtrojnë rolin kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.
“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Veseli.
Letra e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për kryeministrin Avdullah Hoti:
“I nderuari z. Hoti,
Po ju shkruaj në përgjigje të letrës suaj rreth pjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Uashington dhe 7 shtatorit në Bruksel.
Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.
Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në letrën e Veselit drejtuar Hotit.
Ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti e kanë refuzuar gjatë ditës së djeshme edhe Lëvizja Vetëvendosje.
LVV ka theksuar se Qeveria Hoti është jo legjitime dhe jo kredibile, prandaj edhe nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit.