Gent Cakaj do të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Delegimi i detyrës i është bërë nga kryeministri Edi Rama në aktivitetin e sotëm, ku Ditmir Bushati i kaloi stafetën kreut të qeverisë.
Ceremonia, që u mbajt paraditen e sotme në ambientet e Ministrisë së Jashtme, Kryeministria e përcolli për mediat, si “kalimi i stafetës në drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme”
Ndërkohë kryeministri Rama i cili mori fjalën pas fjalimit të lamtumirës së Ditmir Bushatit tha vetëm kaq: “Unë i nënshkruari Edi Rama i delegoj zotit Gent Cakaj zv. ministrit detyrën e drejtimit të Ministrisë për Eruropën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë vendi”
Pasi u refuzua nga Presidenti Ilir Meta si person i papërshtatshëm për të marrë detyrën e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj tha se ndaj tij u hodhën akuza të padrejta, madje shtoi se u kritikua edhe për moshën.
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj delegimit të detyrës së ministrit të jashtëm Gent Cakajt nga ana e Kryeministrit Rama.
Manjani akuzoi Ramën se delegoi një detyrë Kushtetuese një personi që nuk plotëson dot kushtet për ta kryer atë.
Manjani shton se ata që e bëjnë këtë, kryejnë abuzimin më të rëndë me detyrën publike.