Mafiozi i dënuar italian, Rocco Morabito një nga të arratisurit më të kërkuar në Itali, është ekstraduar nga Brazili
Emri i Morabito-s ishte shënuar i dyti në listën e mafiozëve më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të Italisë. Ai u dënua dy dekada më parë në mungesë për trafik droge si pjesë e organizatës mafioze “Ndrangheta”, e cila fitonte miliarda euro (dollarë) nga biznesi i kokainës.
Policia italiane e konsideronte atë si një nga bosët kryesorë të drogës në botë. Morabito, 55-vjeç, do të vuajë 30 vjet burg pasi u dënua në mungesë nga një gjykatë në Milano në 2001.
Ai u arrestua në maj 2021 nga policia braziliane në një operacion të përbashkët me hetuesit italianë dhe amerikanë. Morabito ishte arrestuar më parë në Uruguaj në vitin 2017, por u arratis nga burgu dy vjet më vonë.
Policia italiane ishte vënë në kërkim të tij që nga viti 1994.
Prokurorët e antimafias me bazë në Kalabria thonë se Morabito luajti rol të madh në trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Milanos, një pikë kyçe e shpërndarjes së drogës, e cila më pas shitej në mbarë Italinë dhe në Evropë.
Krahas trafikut të drogës, Morabito është dënuar në Itali edhe për shoqërim mafioz.
Kur u kap në vitin 2017 në Uruguaj, Morabito jetonte në një vilë luksoze në një nga perlat bregdetare. Kishte pseudonim dhe pasaportë false braziliane, bënë të ditur autoritetet asokohe. Gjatë arrestimit të tij në hotel në Montevideo, policia sekuestroi një armë 9 mm, 13 telefona celularë, një sasi parash si dhe një Mercedes coupe.
Më i kërkuari në listën e bosëve të mafias në Itali vazhdon të jetë Matteo Messina Denaro, i cili konsiderohet se ende ka ndikim më të madh të “Cosa Nostra”-s në Siçili, pavarësisht se është në arrati që nga viti 1993./FolDrejt/